Presidenti Begaj: Shqipëria do të jetë vazhdimisht në krah të Kosovës

16 shkurt 2023 | 12:43

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur të enjten në takim presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, i cili është duke qëndruar në Kosovë për kremtimin e 15-vjetorit të pavarësisë së Kosovës.

Presidenti Begaj ka uruar presidenten Osmani dhe qytetarët e Kosovës për 15-vjetorin e Pavarësisë dhe ka theksuar se Shqipëria do të jetë vazhdimisht në krah të Kosovës duke kontribuar në fuqizimin e pozitës ndërkombëtare të saj.

Ndërsa presidentja Osmani, ka theksuar se Kosova po e kremton 15-vjetorin e shtetësisë së saj në përballje me sfida, por e vendosur për të ecur përpara në forcimin e shtetit dhe e përkushtuar në rrugëtimin euroatlantik.

“Në këtë 15-vjetor të pavarësisë kujtojmë me respekt të gjithë ata që kontribuuan për lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin, që nga arkitekti i shtetit të Kosovës, presidenti historik, dr. Ibrahim Rugova e deri te vajzat e djemtë e UÇK-së, të udhëhequr nga komandanti legjendar Adem Jashari, shumë nga të cilët ranë heroikisht për lirinë dhe Republikën”, citohet të këtë thënë Osmani.

Marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, nga të dy presidentët janë vlerësuar jo vetëm miqësore, por vëllazërore, ndaj u zotuan se do të angazhohen për intensifikim të tyre.

“Osmani vuri në dukje nevojën për një koordinim dhe harmonizim të mëtejmë, posaçërisht në sferën e politikës së jashtme, me ç`rast potencoi nevojën që Shqipëria të jetë zë i fuqishëm i Kosovës në institucionet ku aktualisht Kosova nuk ka përfaqësim”, është thënë në njoftimin e Presidencës së Kosovës.

Të dy presidentët kanë theksuar se Kosova e Shqipëria janë bashkërisht të angazhuara dhe të përkushtuara në mbrojtjen e demokracisë, paqes dhe lirisë dhe se stabiliteti i rajonit është jetik në mënyrë që të dy shtetet të vazhdojnë rrugëtimin evropian.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Fatmir Krasniqi, arsimtar në pension Në vitin 1953 Qeveria…