Presidenti dhe zëvendëspresidenti i Drenicës japin dorëheqje, klubi mbetet pa drejtuesit kryesorë
Presidenti i FC Drenicës, Thomas Wüstefeld,dhe zëvendëspresidenti i klubit, Faton Seferi, kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre me efekt të menjëhershëm.
Wüstefeld ka njoftuar largimin përmes një mesazhi drejtuar familjes së klubit, tifozëve dhe qytetarëve të Drenicës, duke thënë se vendimi erdhi pas një reflektimi të gjatë.
“Me keqardhje dhe pas një reflektimi të gjatë, jap dorëheqjen nga posti i presidentit me efekt të menjëhershëm”, ka shkruar ai në letrën e tij.
Ai ka falënderuar të gjithë ata që, sipas tij, kanë dhënë gjithçka që klubi të mbetej në elitën e futbollit kosovar, duke e vlerësuar në mënyrë të veçantë angazhimin e Faton Seferit.
“Përkushtimi yt i pandalshëm, angazhimi yt me pasion dhe gjithçka që ke bërë me gjithë zemër për këtë klub dhe për qytetin tonë, vështirë se mund të përshkruhet me fjalë”, ka shkruar Wüstefeld.
Edhe Faton Seferi ka bërë me dje largimin nga pozita e zëvendëspresidentit dhe tërheqjen nga marrëveshja e synimit për privatizimin dhe zhvillimin e klubit.
Në një reagim të gjatë, Seferi ka treguar se vendimi ishte rezultat i një viti me sakrifica, investime dhe përpjekje për ta stabilizuar klubin.
Ai ka treguar se kishte investuar mjete personale për shlyerjen e borxheve dhe financimin e klubit, ndërsa ka theksuar se procesi i privatizimit nuk u realizua sipas planit.
Sipas tij, mungesa e investimeve të planifikuara nga partnerët dhe vonesat institucionale e kanë bërë të pamundur vazhdimin e projektit në formën e paraparë.
Megjithatë, Seferi ka theksuar se nuk është larguar në një moment të vështirë për Drenicën, duke qëndruar pranë klubit deri në fund të sezonit.
“FC Drenica mbeti në Superligë. Sidomos pjesa e dytë e kampionatit ishte dëshmi se çfarë mund të arrijë një klub kur ka organizim, disiplinë dhe zemër”, ka deklaruar ai.
Seferi ka falënderuar futbollistët, trajnerët, tifozët, sponsorët dhe institucionet që e kanë mbështetur klubin, duke thënë se Drenica do të mbetet gjithmonë pjesë e jetës së tij.
“Unë sot po largohem nga funksioni, por jo nga zemra e Drenicës. Drenica do të mbetet gjithmonë pjesë e jetës sime”, ka përfunduar ai.



