Presidenti do ta rrëzojë këtë qeveri

22 qershor 2020 | 13:59

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, e ka kritikuar qeverinë Hoti se e ka marrë pushtetin në mënyrë të padrejtë.

Ai ka thënë se këtë qeveri e ka formuar presidenti Hashim Thaçi për ta arritur marrëveshjen përfundimtare me Serbinë.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të LV-së ka deklaruar se në fund kjo qeveri do të rrëzohet nga Hashim Thaçi. “Unë mendoj se këtë qeveri e ka bërë në mënyrë taktike presidenti Hashim Thaçi për qëllime personale. Do të shihni në fund se si do të bjerë kjo qeveri dhe do të shihni të gjithë se kush do ta shkarkojë. Pra, ai që e ka formuar këtë qeveri, ai do ta shkarkojë porsa ta përfundojë puna e vet”, ka thënë Bahtiri.

Ai ka vlerësuar se qeveria Hoti vetëm do ta zbatojë planin e presidentit në procesin e negociatave me Serbinë. “Kjo qeveri është e kapur. Kjo qeveri ka përfituar prej situatës dhe e ka grabitur pushtetin pa të drejtë. Kjo qeveri nuk bën asgjë tjetër përveç zbatimit të planit të Hashim Thaçit i cili synon që brenda mandatit të vet të arrijë një marrëveshje me Serbinë. Kjo qeveri ka rrëzuar një qeveri legjitime, e cila ishte vullnet i qytetarëve dhe e cila kishte filluar të punojë mjaft mirë. Kjo tregon se shteti mbetet ende i kapur”, ka thënë ai, duke shtuar se në zgjedhjet e ardhshme qytetarët do t’ua kallëzojnë vendin atyre që nuk mbajtën fjalën.

Bahtiri ka paralajmëruar se marrëveshja me Serbinë nuk do të mund të ratifikohet në Kuvend. Sipas tij, ajo do të kundërshtohet fuqishëm nga qytetarët e Kosovës.

“Ai mendon se marrëveshjen do ta bëjnë këtë vit, por ju do ta shihni se qytetarët do të reagojnë shumë ashpër ndaj kësaj marrëveshje, duke e pamundësuar votimin e saj në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Do të thotë, ata nuk do të mund të bëjnë asgjë, sepse ratifikimi i marrëveshjes në Kuvend nuk do të mund të ndodhë”, është shprehur ai.

Zyrtari i LV-së e ka komentuar edhe takimin e Uashingtonit që do të mbahet më 27 qershor. “Mendoj se në takimin e 27 qershorit nuk do të ketë marrëveshje përfundimtare. Tani është pak më ndryshe. Në këtë takim besoj se do t’i përcaktojnë kornizat kryesore të procesit. Ky maliverzim që ka ndodhur dhe do të ndodhë, nuk do të jetë asgjë më shumë ose më pak sesa e ka paraparë Hashim Thaçi”, ka deklaruar Bahtiri.

“Epoka e re”: Z. Bahtri, zgjedhjet parlamentare të Serbisë po mbahen edhe në territorin e Kosovës. Cili është qëndrimi juaj për këtë çështje?
Bahtiri: Për këtë çështje nuk mund të deklarohem krejtësisht, sepse nuk e di se cili është statusi i tyre. Sepse ata mund të jenë qytetarë të Serbisë që jetojnë në Kosovë, por ata qytetarë që janë shtetas të Kosovës është e padrejtë dhe e papranueshme që të marrin pjesë në këto zgjedhje. Ata do të duhej të merrnin pjesë vetëm në zgjedhjet që i organizon shteti i Kosovës. Ata që i kanë dy shtetësi duhet të përcaktohen se në cilat zgjedhje duhet të marrin pjesë.

“Epoka e re”: Për shkak të pandemisë, institucionet e Kosovës kanë shtyrë mbajtjen e zgjedhjeve për kryetar të Komunës së Mitrovicës së Veriut, ndërsa për zgjedhjet serbe nuk po paraqet problem pandemia.
Bahtiri: Mendoj se Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës do të japë dritën e gjelbër për mbajtjen e zgjedhjeve në Mitrovicë dhe Podujevë. Tani nuk e di se si do të rrjedhë situata, por unë mendoj se nëse Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik lejon mbajtjen e zgjedhje, ato duhet të mbahen.

“Epoka e re”: Subjektet politike që tashmë po qeverisin, më herët e kanë kritikuar qeverinë Kurti se gjatë pandemisë kishte hapur kufirin me Serbinë, ndërsa tani kanë lejuar mbajtjen e zgjedhjeve serbe?
Bahtiri: Kritikat e këtyre subjekteve politike ndaj qeverisë Kurti për këtë çështje kanë qenë të padrejta. Sepse kufijtë janë hapur për çështje humanitare dhe për njerëz profesionalë të shëndetësisë. Duhet ta dimë se një pjesë e serbëve që jetojnë në Kosovë më shumë i besojnë personelit mjekësor serb. Mendoj se koronavirusi nuk njeh nacionalitet dhe në këtë drejtim ndihma e Serbisë për Kosovën ka qenë humanitare dhe gjithçka që është e tillë është e pranueshme për secilin qytetar dhe secilin shtet.

“Epoka e re”: Lëvizja Vetëvendosje e ka kundërshtuar qeverinë Hoti, duke e quajtur qeveri jolegjitime. Cili është qëndrimi juaj për këtë qeveri?
Bahtiri: Kjo qeveri është e kapur. Kjo qeveri ka përfituar prej situatës dhe e ka grabitur pushtetin pa të drejtë. Kjo qeveri nuk bën asgjë tjetër përveç zbatimit të planit të Hashim Thaçit i cili synon që brenda mandatit të tij të arrijë një marrëveshje me Serbinë. Kjo qeveri ka rrëzuar një qeveri legjitime, e cila ishte vullnet i qytetarëve dhe e cila kishte filluar të punojë mjaft mirë. Kjo tregon se shteti mbetet ende i kapur. Në zgjedhjet e ardhshme do të shohim se si qytetarët do t’i ndëshkojnë të gjithë ata që kanë keqpërdorur vullnetin qytetar dhe i kanë gënjyer ata. Unë po shoh çdo ditë pakënaqësinë e qytetarëve me këtë qeveri sepse ata kanë votuar për diçka tjetër.

“Epoka e re”: Nga kush është e kapur kjo qeveri?
Bahtiri: Unë mendoj se këtë qeveri e ka bërë në mënyrë taktike presidenti Hashim Thaçi për qëllime të tij personale. Do të shihni në fund se si do të bjerë kjo qeveri dhe do të shihni të gjithë se kush do ta shkarkojë. Pra, ai që e ka formuar këtë qeveri, ai do ta shkarkojë porsa ta përfundojë punën e vet.

“Epoka e re”: Kur mendoni se presidenti mund ta përfundojë punën e vet?
Bahtiri: Ai do të përpiqet që sa më shpejt ta bëjë marrëveshjen përfundimtare me Serbinë sepse, siç e dimë, mandati i tij përfundon brenda pak muajve.

“Epoka e re”: Ju mendoni se marrëveshja mund të bëhet këtë vit?
Bahtiri: Ai mendon që marrëveshjen ta bëjë këtë vit, por ju do ta shihni se qytetarët do të reagojnë shumë ashpër ndaj marrëveshjes, duke e pamundësuar votimin e saj në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Do të thotë, ata nuk do të mund të bëjnë asgjë sepse ratifikimi i marrëveshjes në Kuvend nuk do të mund të ndodhë.

“Epoka e re”: Pse Lëvizja Vetëvendosje nuk pranoi ftesën e kryeministrit Hoti për konsultime rreth takimit që Kosova dhe Serbia do ta kenë më 27 qershor në Uashington?
Bahtiri: Lëvizja Vetëvendosje, kur ka qenë në pushtet, ia ka pamundësuar presidentit që t’i udhëheqë negociatat, pra këtë përgjegjësi e ka marrë kryeministri. Dhe, siç dihet, ish-kryeministri Kurti ka dashur që të shkojë në procesin e dialogut për të biseduar e jo për t’iu bashkangjitur një tavoline për të nënshkruar marrëveshje. Tani kjo qeveri po ia mundëson që këtë proces të udhëheqë presidenti i vendit. Hashim Thaçi dëshiron të ketë pushtet më shumë sesa i takon si president.

“Epoka e re”: Çfarë pritni nga takimi i 27 qershorit në Uashington?
Bahtiri: Mendoj se në takimin e 27 qershorit nuk do të ketë marrëveshje përfundimtare. Tani është pak më ndryshe. Në këtë takim besoj se do t’i përcaktojnë kornizat kryesore të procesit. Ky maliverzim që ka ndodhur dhe do të ndodhë, nuk do të jetë asgjë më shumë ose më pak sesa e ka paraparë Hashim Thaçi.

“Epoka e re”: Çfarë ju bën të bindur se gjithçka do të shkojë sipas skenarit të presidentit?
Bahtiri: Unë mendoj se ai e ka jetë a vdekje këtë punë. Për këtë arsye ai po shkon në atë drejtim. Përndryshe, pse u ka shkuar deputetëve në orët e vona të natës, për t’u bërë presion për ta votuar këtë qeveri?!

(Muhamet Koci)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Forcat turke të sigurisë kanë konfiskuar mbi shtatë milionë rrënjë…