Presidenti ende nuk i ka ftuar partitë në takim

29 mars 2020 | 18:44

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ende nuk i ka ftuar në takim partitë politike pas votimit të mocionit të mosbesimit për rrëzimin e qeverisë.

Të mërkurën në mbrëmje, Kuvendi i Kosovës me 82 vota pro, tri kundër dhe një abstenim ka votuar mocionin e mosbesimit për rrëzimin e Qeverisë Kurti.

Ky mocion i iniciuar nga Lidhja Demokratike ka arritur të rrëzojë Qeverinë Kurti.

Njoftimi zyrtar i këtij mocioni në Presidencë ka arritur të premten në fund të orarit të punës.

Kështu thuhet në një përgjigje me shkrim nga Zyra e Presidentit për “KosovaPress”, sipas së cilës ka qenë e pamundur që të ftohen për të hënën në konsultime përfaqësuesit e partive politike.

“Njoftimi nga Kuvendi ka ardhur të premten në fund të orarit të punës dhe për këtë ka qenë e pamundur që të ftohen për të hënën në konsultime përfaqësuesit e partive parlamentare. Ata do të ftohen nga presidenti në ditët e ardhshme për konsultime”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Presidentit.

Presidenti Hashim Thaçi, pas rrëzimit të Qeveri së së Kosovës, kishte deklaruar se pa humbur kohë do t’i ftojë për konsultime liderët e të gjitha partive politike për të shikuar mundësinë e krijimit të qeverisë së re të vendit.

E për këtë, ai kishte thënë se këtë do ta bëjë të hënën, duke shtuar se do ta respektojë Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti përmes një postimi në “Facebook”,  sot ka thënë se presidenti Thaçi duhet të mendojë për datë të zgjedhjeve, para se të kërkojë emrin e kandidatit nga Lëvizja Vetëvendosje!.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK), ka njoftuar se pesë ditët…