Presidenti i Al Ittihad: Për Messin do ta jepja një çek të bardhë dhe kontratë të përjetshme

14 janar 2026 | 13:30

Presidenti i Al Ittihad, Anmar Al Haili, ka bërë deklarata të bujshme në lidhje me Lionel Messin, duke e konfirmuar interesimin e jashtëzakonshëm që klubi saudit e ka pasur dhe vazhdon ta ketë për yllin argjentinas.

“Nëse Messi do të donte ndonjëherë të nënshkruante për Al Ittihad, do t’ia jepja një çek të bardhë dhe do ta lija ta shkruante vetë shumën, për çdo kohëzgjatje kontrate që dëshiron, madje edhe për gjithë jetën”, është shprehur Al Haili, përcjell “Gazeta Express”.

Sipas tij, ardhja e Messit në Arabinë Saudite do ta kishte një vlerë që shkon përtej aspektit financiar.

“Të kishim Messin këtu, duke veshur fanellën tonë, do të vlente më shumë se paratë. Me lojtarin më të madh në historinë e futbollit në ekip, kampionatin do ta festonim para se të fillonte”, tha presidenti i Al Ittihad.

Al Haili e ka zbuluar gjithashtu se ka pasur kontakte direkte me Messin në momentin kur kontrata e tij me Paris Saint-Germain përfundoi.

“Po, e kontaktova dhe ia ofrova një kontratë me vlerë 1.4 miliard euro, ose 88 milionë euro në vit, por ai refuzoi pa hyrë në detaje, pasi familja e tij preferonte të transferohej në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.”

Megjithatë, kreu i klubit saudit theksoi se e respekton plotësisht vendimin e kampionit të botës.

“E respektoj plotësisht atë zgjedhje dhe dera e Al Ittihad do të jetë gjithmonë e hapur për Messin, sa herë që ai të dëshirojë të vijë.”

Deklaratat e Al Hailit i konfirmojnë edhe një herë ambiciet e mëdha të futbollit saudit dhe dëshirën për t’i afruar emrat më të mëdhenj të historisë së këtij sporti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka reaguar nga burgu në…