
Presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Gjimnastikës viziton Kosovën
Federata e Gjimnastikës së Kosovës ka pritur presidentin e Federatës Ndërkombëtare të Gjimnastikës (FIG), Morinari Watanabe, në një vizitë zyrtare në Prishtinë.
Në këtë vizitë, presidenti Watanabe u prit ngrohtësisht nga udhëheqës të FGjK-së, përfaqësues të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Komitetit Olimpik të Kosovës, si dhe nga kryetari i Federatës Shqiptare të Gjimnastikës.
“Ai vizitoi objektet sportive dhe u angazhua në diskutime të rëndësishme për projektet që do të rrisin cilësinë, infrastrukturën dhe rolin e Kosovës në arenën ndërkombëtare të gjimnastikës. Shprehim mirënjohjen tonë të thellë për presidentin Watanabe për vizitën, mbështetjen dhe vizionin e përbashkët për një të ardhme premtuese të gjimnastikës në Kosovë”, thuhet në njoftimin e FGjK-së.