
Presidenti i FFK-së, Ademi, falënderon presidenten Osmani për nderimin ndaj presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka shprehur mirënjohje të thellë ndaj presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, për vendimin që ta dekorojë presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, gjatë vizitës së tij të dytë zyrtare në Kosovë, që do të ndodhë këtë të mërkurë.
Në letrën drejtuar presidentes Osmani, Ademi ka theksuar se ky akt është një dëshmi e respektit të institucioneve të Republikës së Kosovës ndaj rolit dhe kontributit të z. Infantino për zhvillimin e futbollit kosovar dhe afirmimin e shtetit në arenën ndërkombëtare.
“Ky akt i lartë institucional është një dëshmi e respektit që Republika e Kosovës ka për rolin dhe kontributin e z. Infantino si President i FIFA-s, për zhvillimin e futbollit tonë dhe afirmimin e vendit në arenën ndërkombëtare”, ka theksuar Ademi.
Presidenti i FFK-së ka rikujtuar faktin se Gianni Infantino, në Kongresin e tij të parë si President i FIFA-s në vitin 2016, pati nderin historik ta shpallë Kosovën anëtare të barabartë të FIFA-s – një moment që shënoi kthesën më të madhe në historinë e futbollit kosovar.
Sipas Ademit, nën drejtimin e Infantinos, FIFA ka dhënë mbështetje të vazhdueshme për Kosovën përmes programit “FIFA Forward”, duke ndihmuar në ndërtimin e infrastrukturës, zhvillimin e futbollit të të rinjve dhe ngritjen profesionale të trajnerëve e zyrtarëve të FFK-së.
“Ky vendim i juaji, znj. Presidente, forcon edhe më shumë partneritetin mes institucioneve shtetërore dhe atyre sportive, duke dëshmuar se futbolli është një urë që bashkon njerëzit, gjeneratat dhe kombet”, ka shkruar më tej Ademi.
Në fund të letrës, presidenti Ademi ka falënderuar presidenten Osmani për përkrahjen e vazhdueshme ndaj sportit dhe për vizionin e saj që Kosova të përfaqësohet me dinjitet në çdo fushë, përfshirë edhe atë të futbollit.
“Dekorimi i Presidentit Infantino është një vlerësim që shkon përtej individit dhe është një nder edhe për gjithë komunitetin e futbollit në Kosovë”, ka përfunduar Ademi.