Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, uron FC Dritën për arritjen historike
Presidenti i FFK-së, Agim Ademi ka uruar FC Dritën për suksesin e saj si klubi i parë që kalon fazën e ligës në UEFA Conference League dhe siguron kualifikimin në “play-off” të fazës nokaut.
Urime i plotë i Ademit:
Urime FC Drita arritja historike
FC Drita ka shkruar një faqe të re në historinë e futbollit kosovar, duke u bërë klubi i parë që kalon fazën e ligës në UEFA Conference League dhe siguron kualifikimin në “play-off” të fazës nokaut.
Ky sukses nuk është i rastësishëm, por fryt i punës së palodhshme të stafit të trajnerëve, investimeve të drejtuesve të klubit dhe përkushtimit e karakterit të treguar në fushë nga ana e futbollistëve.
Edhe pse përballja e fundit ndaj një rivali të fortë si Rayo Vallecano në Madrid nuk përfundoi me rezultat pozitiv, performanca e përgjithshme me 8 pikë të grumbulluara dëshmon pjekurinë e skuadrës sonë kampione në këtë nivel të garave evropiane.
Ky sukses i Dritës e rrit pashmangshëm prestigjin e Superligës sonë dhe shërben si shembull dhe motivim për të gjitha klubet e tjera kosovare.
Përgëzime të sinqerta futbollistëve, shtabit teknik dhe drejtuesve të klubit; Ju jeni ambasadorët më të mirë të kampionatit tonë dhe rritjes së pandalshme!
Një urim i përzemërt shkon edhe për KF Shkëndija të Tetovës që po ashtu siguroi kualifikimin në “play-off”. Suksesi i secilit klub shqiptar në Evropë na gëzon dhe na jep ndjenja krenarie.



