Presidenti i FFK-së: Ngritja e Superligës së Kosovës, një histori suksesi

17 korrik 2025 | 21:58

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, në një intervistë për RTV21, ka vënë në pah progresin e jashtëzakonshëm të Superligës së Kosovës në rangimet evropiane, duke e vlerësuar si një nga historitë më të suksesshme në kontinent brenda një kohe kaq të shkurtër.

“Nëse e shohim nga 55 federatat anëtare të UEFA-s, ngritja e ligës sonë për vetëm 9 vjet prej që jemi pranuar, është mbresëlënëse. Nga vendi i fundit kemi arritur deri në pozitën e 33-të apo 34-t, që është një arritje e madhe si në aspektin profesional, ashtu edhe në atë ekonomik”, ka deklaruar Ademi.

Ai ka potencuar se investimet e klubeve në infrastrukturë dhe kapacitete financiare kanë ndikuar drejtpërdrejt në përmirësimin e nivelit të garës dhe rezultateve në arenën ndërkombëtare.

“Çështja ekonomike ndikon edhe në aspektin profesional. Jam i lumtur që klubet tona po arrijnë të krijojnë një ekonomi të tillë dhe kemi arritur ta mbajmë ligën në një standard të lartë. Rënia e këtij standardi do të kishte pasoja, si humbja e një vendi për klubet tona në garat evropiane”, theksoi ai.

Kosova në fakt përfaqësohet me tri skuadra në garat evropiane dhe kjo pa dyshim është një arritje e madhe.

Ademi bëri krahasime edhe me shtetet e rajonit, duke përmendur se Kosova është më mirë e pozicionuar se shumë prej tyre, përfshirë Maqedoninë e Veriut, e cila tashmë ka humbur një ekip në garat evropiane për shkak të uljes së koeficientit dhe përfaqësohet vetëm me tri skuadra.

“Uroj që kampioni ynë të vazhdojë të bëjë paraqitje të mira në Ligën e Kampionëve, por edhe ekipet e tjera të kontribuojnë me rezultate. Nëse do të arrinim të kishim dy ekipe në fazën e grupeve, sigurisht se do të kishim shumë gjasa për të fituar edhe një vend shtesë në Evropë”, shtoi presidenti i FFK-së.

Duke reflektuar mbi rrugëtimin e futbollit kosovar, Ademi ka pranuar se nuk e kishte pritur një zhvillim kaq të hovshëm, sidomos duke marrë parasysh përvojat dhe ritmet e zhvillimit të federatave të tjera të pranuara më herët nga UEFA dhe FIFA.

“Mund të them lirisht se nuk ka asnjë federatë që për kaq pak vite ka arritur rezultate të tilla. Ne kemi qenë jashtë institucioneve sportive për më shumë se 10 vjet, por kemi zhvilluar ligën me rregulla të UEFA-s dhe FIFA-s, pa qenë të pranuar nga ta. Ky është një rast unik në gjithë botën dhe na ka ndihmuar ta mbajmë kontinuitetin. Pa atë ligë, do ta kishim shumë më vështirë të arrinim këtu ku jemi sot. Arritja e këtij rezultati ka të bëjë vetëm me talentin dhe dëshirën e madhe të futbollistëve, por edhe me përkushtimin e njerëzve që e duan sportin. Dhe dihet se Kosova është vend i futbollit”, nënvizoi Ademi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, në emisionin ‘2me1” në RTV21,…