
Presidenti i FFK-së: Vazhdojmë me besim e unitet drejt ëndrrës së madhe!
Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, i është gëzuar fitores së Kosovës në ndeshjen ndaj Suedisë në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Ai ka shkruar në rrjetet sociale se kjo është dëshmia më e mirë se kjo Kombëtare ka forcë, karakter dhe zemër të madhe.
“Çfarë mbrëmje, çfarë emocioni. Kosova shkëlqen ndaj Suedisë, duke fituar 2:0. Vetëm tre ditë pas asaj nate të vështirë në Bazel, djemtë tanë treguan shpirtin e vërtetë dardan dhe i sollën Kosovës një fitore madhështore në stadiumin “Fadil Vokrri””.
“Kjo është dëshmia më e mirë se kjo Kombëtare ka forcë, karakter dhe zemër të madhe. Jam krenar për secilin prej futbollistëve, për punën e shtabit teknik dhe mbi të gjitha mirënjohës për përkrahjen e jashtëzakonshme të tifozëve tanë, të cilët edhe sonte ishin lojtari ynë i 12-të”, ka shkruar Ademi.
“Kosova ka të ardhme të ndritur në futboll dhe së bashku do të vazhdojmë të besojmë, të punojmë dhe të ëndërrojmë! E për ata që kritikojnë e vjellin vrerë mbi këta djelmosha të artë, ju them të reflektojnë sepse edhe ashtu janë të paktë e të vegjël përballë këtyre luanëve”.
“Ju lumtë djema që arritët të ktheheni fuqishëm, ju jeni krenaria e popullit. Vazhdojmë me besim e unitet drejt ëndrrës së madhe! Forca Kosovë, forca Dardanë!”, ka shkruar Ademi.