Presidenti i Finlandës: Kemi hyrë në një epokë të re të armëve bërthamore
Presidenti i Finlandës, Alexander Stubb, deklaroi se bota po hyn në “një epokë të re të armëve bërthamore”, pasi Shtetet e Bashkuara njoftuan planet për të rifilluar testimet bërthamore për herë të parë që nga viti 1992.
Gjatë një fjalimi në Helsinki më 3 nëntor, Stubb tha se “logjika e frenimit” dhe “stabiliteti strategjik midis superfuqive” po përjetojnë një transformim të madh.
“Ne kemi hyrë në një epokë të re të armëve bërthamore, të cilën, fatkeqësisht, rëndësia e armëve bërthamore është në rritje”, tha Stubb.
Deklaratat e tij erdhën pak ditë pas njoftimit të presidentit amerikan Donald Trump, i cili tha se SHBA-ja do të nisë testime të reja bërthamore, duke përmendur si arsye veprimet e Rusisë dhe Kinës. Trump pretendoi se këto shtete kanë kryer “testime bërthamore nëntokësore, të panjohura për publikun”, ndaj SHBA-ja do të veprojë “njësoj”.
Vendimi i Uashingtonit pason njoftimet e Moskës për testimin e një rakete të re lundruese bërthamore, Burevestnik, dhe të një droni nënujor me kapacitet bërthamor.
Sipas të dhënave ndërkombëtare, asnjë shtet tjetër, përveç Koresë së Veriut, nuk ka kryer shpërthime bërthamore për dekada, ndërsa Rusia dhe Kina nuk kanë zhvilluar testime të tilla që nga vitet 1990 dhe 1996.
Presidenti finlandez shtoi se sfida të reja kërkojnë bashkëpunim të ngushtë midis aleatëve të NATO-s:
“Si mund të ndërtojmë së bashku politikën e frenimit? Si mund ta kontrollojmë përshkallëzimin?” pyeti Stubb.
Ai theksoi se këto janë pyetje jetike për Finlandën, e cila ndan një kufi prej 1.340 kilometrash me Rusinë dhe u bë anëtare e NATO-s në vitin 2023, pas pushtimit rus të Ukrainës.
                        


                                        
                                        
                                        
                                        
                                        
                                        