
Presidenti i Iranit thotë se në vendin e tij mund të jenë 25 milionë të infektuar me koronavirus
Presidenti iranian, Hassan Rouhani, e ka cituar një hulumtim të Ministrisë së Shëndetësisë, ku vlerësohet se vendi mund t’i ketë 25 milionë njerëz të prekur nga koronavirusi, që është shifër shumë më e lartë se numri zyrtar prej rreth 269,000 rasteve.
Rouhani tha gjatë një samiti për koronavirusin të shtunën se 30 deri 35 milionë të tjerë mund të infektohen gjatë javëve apo muajve të ardhshëm dhe se numri i të shtrirëve në spitale mund të rritet gjatë kësaj periudhe, ndonëse nuk shpjegoi pse.
Kjo shifër është vlerësimi më i sinqertë nga një lider iranian për shkallën e përhapjes së sëmundjes në vend, ku deri më tani kanë vdekur rreth 14,000 persona, shkruan “The Guardian”, transmeton “Gazeta Express”.
Irani kishte vendosur masa kufizuese në mars, por filloi t’i lehtësonte ato rreth dy muaj më vonë për shkak të nevojës për riaktivizim të ekonomisë.
Vlerësohet se së paku dy milionë iranianë kanë mbetur pa punë si rezultat i pandemisë dhe sanksioneve të vazhdueshme amerikane. Irani është vendi më i prekur nga koronavirusi në Lindjen e Mesme.