Presidenti i ri, sfidë “serioze” për partitë politike

13 shkurt 2026 | 08:42

Konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë së re i kanë hapur rrugë zgjedhjes së presidentit të ri. Për këtë çështje partitë politike nuk kanë nisur ende zyrtarisht bisedimet për gjetjen e një kandidati konsensual. Ndërkohë që presidentja Vjosa Osmani e ka anuluar pjesëmarrjen e saj në Konferencën e Sigurisë në Mynih me arsyejet që lidhen me angazhimet institucionale dhe prioritetet që kanë të bëjnë me zhvillimet brenda vendit, kryeministri Albin Kurti tha se është i gatshëm të nisë bisedimet për postin e presidentit.

“Pas zgjedhjes së Kuvendit dhe formimit të Qeverisë, jam i gatshëm të diskutoj me partitë politike për postin e presidentit.”

Megjithatë, Lëvizja Vetëvendosje nuk ka dhënë më shumë hollësi se si do t’i qaset çështjes së zgjedhjes së presidentit të ri. Mbetet e paqartë nëse do të jenë të gatshëm për kompromise, siç kërkojnë partitë e opozitës, të cilat insistojnë që për këtë post të ketë konsensus dhe që kandidati për president të propozohet nga opozita.
Partitë e opozitës nuk kanë preferuar të flasin gjatë ditës për postin e presidentit të ri.

Ndërkohë, ambasadori i karrierës, Albert Prenkaj, vlerëson se partitë politike, ashtu siç e formuan Kuvendin dhe Qeverinë me urgjencë, duhet të ulen sa më shpejt për të diskutuar edhe çështjen e presidentit të ri. Sipas tij, propozimi për president duhet të vijë nga opozita, përmes një konsensusi edhe me LVV-në.

“Ashtu siç u formuan në mënyrë tejet urgjente Kuvendi dhe Qeveria, kërkohet që shumë shpejt të zgjidhet edhe presidenti, pa asnjë vonesë dhe pa shpërqendrime që mund të çojnë në zgjedhje të reja. Kosova duhet ta ketë një president konsensual. Kjo Qeveri duhet të jetë dorëlirë dhe të mundësojë zgjedhjen e një presidenti konsensual, mundësisht të propozuar nga opozita.”, tha Prenkaj për rtv21

Ligjëruesi i shkencave politike, Basri Muja, vlerëson se Kuvendin dhe Qeverinë e re i presin sfida të mëdha. Sipas tij, Bashkimi Evropian do të kërkojë nga Qeveria që të rikthehet sa më shpejt në procesin e dialogut, prandaj kërkohen hapa të përshpejtuar edhe për zgjedhjen e presidentit të ri, në mënyrë që Kosova të përballet me sfidat në politikën e jashtme.

“Shpresoj se partitë do të jenë të përgjegjshme dhe nuk do të provojnë zgjedhje të parakohshme për çështjen e presidentit. Ka mundësi për konsensus. I ftoj partitë opozitare që të vijnë me propozime konkrete për president të ri, për ta sfiduar LVV-në dhe zonjën Osmani, e cila synon edhe një mandat. Është mirë të gjendet një kandidat konsensual.”, deklaroi ai për rtv21

Presidenti i ri duhet të zgjidhet më së largu deri më 5 mars, një muaj përpara përfundimit të mandatit të presidentes aktuale, përndryshe vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
I strukur mes një grumbulli rrënojash, ku dikur ishte apartamenti…