
Presidenti i Shqipërisë: Asnjë raport i trilluar nuk mund ta njollosë UÇK-në
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, në konferencën e përbashkët për media me homologen Vjosa Osmani, ka folur edhe për rolin historik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Ai ka thënë se UÇK-ja është faqe e ndritur e çdo shqiptari. Duke iu referuar raportit të Dick Martyt, Begaj ka thënë as asnjë raport i trilluar nuk mund ta njollosë UÇK-në, udhëheqësit dhe luftëtarët e saj.
“UÇK-ja përben një faqe të ndritur për historisë sonë të përbashkët. UÇK-ja bën krenar çdo shqiptar. Asnjë raport i trilluar që tenton ta njollosë gjakun dhe vetëflijimin e shqiptarëve në mbrojtje të lirisë, flamurit dhe identitetit kombëtar nuk do të arrijë kurrë ta zbehë këtë trashëgimi të lavdishme”, ka thënë Begaj.
Kujtojmë se Gjykata Speciale është krijuar mbi bazën e raportit të Dick Martyt, ku nga nëntori i vitit 2020 janë duke u mbajtur në paraburgim drejtuesit kryesorë të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi qysh në daljen e parë para trupit gjykues janë deklaruar të pafajshëm në lidhje me akuzat e prokurorisë. Përpos tyre, në qendrën e paraburgimit në Hagë janë duke u mbajtur edhe Hysni Gucati, Nasim Haradinaj, Sali Mustafa dhe Pjetër Shala.