
Presidenti i Sportingut: 70 milionë euro janë pak për Gyokeresin
Presidenti i Sportingut të Lisbonës, Frederico Varandas, ka sqaruar se deri tani nuk ka mbërritur asnjë ofertë për Viktor Gyokeres, duke mohuar spekulimet për një interes konkret nga Juventusi, Manchester United dhe Arsenal.
Ai theksoi se shuma prej 70 milionë eurosh që përmendet në media nuk është e mjaftueshme për kartonin e sulmuesit suedez.
“Për momentin, nuk ka mbërritur asnjë ofertë për Gyokeres. Por mund t’ju them se 70 milionë Eurot për të cilat është folur në orët e fundit nuk do të ishin të mjaftueshme. Nuk është e vërtetë që i kam premtuar se do të largohet. Ky lloj shantazhi nuk funksionon për mua dhe me këtë veprim nga agjenti, situata vetëm sa do të përkeqësohet”, ka thënë Varandas.
Juventusi është përfolur për interesim ndaj sulmuesit suedez, por për momentin duket se nuk ka kushte të favorshme që të përmbushë kërkesat financiare të klubit portugez. Vetëm një shitje e rëndësishme apo të ardhura nga kompeticione si Kupa e Botës për Klube mund të ndihmojnë për një ofertë në të ardhmen.