
Presidenti i Steauas: Nëse na eliminon Drita, atëherë ta lëmë futbollin
Skuadra kampione e Kosovës, Drita, do të përballet me gjigantin rumun FCSB (ish-Steaua Bukuresht) në raundin e tretë të UEFA Europa League.
Ky duel pritet të jetë një sfidë e fortë dhe me peshë të veçantë për të dyja skuadrat, si në aspektin sportiv, ashtu edhe emocional. Presidenti kontrovers i FCSB-së, Gigi Becali, ka bërë një deklaratë të pazakontë para përballjes me ekipin nga Gjilani. I njohur për qëndrimet e tij të ashpra dhe deklaratat e bujshme, ai u shpreh se një eliminim nga Drita do të ishte i papranueshëm për klubin rumun.
“Nëse Kosova, nga ku vjen kundërshtari ynë i radhës Drita, na mund, atëherë le ta lëmë futbollin. Nuk dua ta bëj këtë, por kështu duhet të jetë. Nuk mendoj se jemi më të dobët se ata”, ka deklaruar Becali, i ndikuar edhe nga eliminimi i fundit që FCSB pësoi ndaj një tjetër skuadre shqiptare, Shkëndija e Tetovës. Kampionët e Kosovës po kalojnë një formë të mirë dhe synojnë të bëjnë historinë duke kaluar në fazën “play-off” të Europa League.
Nëse arrijnë të eliminojnë FCSB-në, Drita do ta ketë të siguruar pjesëmarrjen në fazën e grupeve të UEFA Conference League, ndërkohë që do të vazhdojë garën edhe në “play-off” të Europa League. Ndeshja e parë do të zhvillohet më 7 gusht në Bukuresht, në stadiumin e FCSB-së, ndërsa takimi i kthimit do të luhet një javë më pas në Prishtinë.