Presidenti i Ukrainës: Kemi informacione për tentim puçi me njerëz nga Rusia

26 nëntor 2021 | 13:59

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, ka thënë të premten se inteligjenca ukrainase ka informata për një përpjekje të mundshme për puç në dhjetor me përfshirjen e disa njerëzve nga Rusia.

Duke folur në një konferencë për gazetarë, Zelenskiy ka thënë se Ukraina i ka nën kontroll të plotë kufijtë e saj dhe se është e gatshme për çfarëdo eskalimi me Rusinë. “Kemi sfida jo vetëm nga Federata Ruse dhe eskalimi i mundshëm – kemi sfida të mëdha të brendshme. Kam marrë informata se një përpjekje për puç do të ndodhë në vendin tonë më 1 e 2 dhjetor”, ka thënë presidenti ukrainas.

Ndryshe, Rusia dhe Ukraina ditëve të fundit kanë zhvilluar ushtrime ushtarake në të njëjtën kohë, në periudhën e tensioneve të larta e shkëmbimit të akuzave për rrezikim të sigurisë së njëra-tjetrës.

Shtimi i aktivitetit ushtarak në të dyja anët vjen pas rritjes së tensioneve që e shtuan rrezikun për luftë mes dy vendeve fqinje, ndonëse Rusia mohon se ka qëllime agresive dhe burimet e inteligjencës perëndimore i kanë thënë agjencisë “Reuters” se nuk shohin rrezik të menjëhershëm për pushtim të Ukrainës nga Rusia.

Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja kanë dhënë shenja për përkrahjen ndaj Ukrainës të cilat Moska i cilëson provokuese, përfshirë manovrat me luftanije këtë muaj në Detin e Zi dhe dhurimin e barkave patrulluese nga ShBA-ja për forcat detare ukrainase.

Ukraina të mërkurën e zhvilloi atë që e quajti “operacion special” në kufi me Bjellorusinë, përfshirë ushtrimet me dron dhe ushtrimet kundër tankeve e njësive ajrore. Ky shtet ka dërguar 8 500 trupa shtesë në kufirin me Bjellorusinë nga frika e përfshirjes në krizën me emigrantë, që është parë në kufirin e Bjellorusisë me Poloninë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Partia e Gjelbër në Gjermani ka bërë të ditura planet…