Presidenti Macron: Brenda pesë vitesh Evropa mund të mos ekzistojë më

12 shkurt 2026 | 09:20

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në një intervistë të përbashkët për disa media kryesore evropiane, ka deklaruar se Evropa rrezikon të humbasë ndikimin dhe rolin e saj global nëse nuk përshpejton marrjen e vendimeve strategjike dhe nuk vepron në mënyrë të koordinuar.

Sipas Macron, Bashkimi Evropian ka pësuar humbje të njëpasnjëshme sa herë që ka reaguar ngadalë, me hezitim dhe në mënyrë të fragmentuar.

Evropa ka humbur gjithmonë kur ka qenë e ngadaltë dhe e ndarë”, theksoi presidenti francez, duke sjellë si shembull krizën financiare globale që nisi në Shtetet e Bashkuara, por pati pasoja të rënda për ekonomitë evropiane.

Ai vuri në dukje se situata ishte ndryshe gjatë pandemisë COVID-19, kur shtetet e Bashkimit Evropian arritën të vepronin shpejt dhe me një qëndrim të përbashkët.

“Atëherë vepruam shumë shpejt dhe me një front të bashkuar”, u shpreh Macron.

Megjithatë, sipas tij, Evropa sot përballet me një valë të re sfidash serioze, të lidhura me politikën e Shteteve të Bashkuara, tarifat tregtare, paqëndrueshmërinë ndërkombëtare dhe çështjet e sigurisë. Macron paralajmëroi se shumë vende evropiane vazhdojnë të jetojnë me iluzionin e stabilitetit.

“Mos besoni për asnjë çast se gjithçka ka mbaruar. Çdo ditë dhe çdo javë sjell kërcënime të reja. Evropa vuan nga trauma: çdo përshkallëzim pasohet nga një lehtësim frikacak”, deklaroi ai.

Presidenti francez e përshkroi situatën aktuale si një çarje të thellë gjeopolitike, duke kërkuar reagim të menjëhershëm nga liderët evropianë. Ai u bëri thirrje vendeve të Bashkimit Evropian të dalin nga gjendja e “minoritetit gjeopolitik” dhe të fillojnë të mendojnë seriozisht për fuqinë, përgjegjësinë dhe rolin e tyre në botë.

Sipas Macron, Evropa duhet të investojë në mënyrë aktive në mbrojtje, teknologji të reja, inteligjencë artificiale dhe llogaritje kuantike.

“Këto janë beteja që duhet të fitohen. Nëse nuk bëjmë asgjë, atëherë brenda pesë vitesh Evropa nuk do të ekzistojë”, paralajmëroi ai.

Ai shtoi se, pa reforma të thella dhe veprim të përbashkët, Bashkimi Evropian rrezikon të humbasë autonominë strategjike dhe ndikimin e tij në skenën globale.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Instituti i Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë (IKKL)…