Presidenti polak: Putini është i gatshëm të pushtojë shtete të tjera

09 shtator 2025 | 16:19

Presidenti rus, Vladimir Putin, është i gatshëm të pushojë shtete të tjera pas vendimit të tij për të nisur konfliktin në Ukrainë. Kështu ka deklaruar presidenti polak, Karol Nawrocki. “Ne nuk u besojmë qëllimeve të mira të Vladimir Putinit”, ka thënë Nawrocki gazetarëve gjatë një konference të përbashkët për media me homologun finlandez, Alexander Stubb në Helsinki.

Polonia dhe Finlanda ndajnë kufi me Rusinë dhe që të dyja janë anëtare të NATO-s. Ato janë gjendur në situatë të vështirë nga pushtimi rus i Ukrainës. “Derisa presim për paqe afatgjatë, paqe të përhershme, që është e nevojshme për rajonet tona, ne besojmë se Putini po ashtu është i gatshëm të pushtojë shtete të tjera. Prandaj ne po i zhvillojmë forcat tona të armatosura, ne po zhvillojmë partneritetin tonë dhe raportet tona”, ka thënë presidenti i Polonisë, duke mos dhënë detaje për ndonjë masë konkrete. Ai ka thënë se “arkitektura e sigurisë” në rajon ka ndryshuar dhe se presidenti amerikan, Donald Trump, është “i vetmi udhëheqës i botës së lirë” i cili mund ta detyrojë Putinin që të negociojë.

Javën e kaluar, Trumpi ka ofruar që të dërgonte më shumë trupa në Poloni, teksa e kishte pritur Nawrockin në Shtëpinë e Bardhë.

Stubb, ndërkaq, në muajt e fundit ka bisedar rregullisht me Trumpin, teksa fuqitë evropiane po kërkojnë që të ndalet lufta në Ukrainë.

“Ne po tentojmë të shpjegojmë se Putinit nuk mund t’i besohet, se Putini po luan me taktikat e tij të zakonshme të zvarritjes, ka thënë Stubb. Shqetësime të ngjashme ka ngritur edhe kancelari gjerman, Friedrich Merz, i cili në fillim të javës, ka thënë se “plani imperialist i Putinit nuk do të përfundojë me pushtimin e Ukrainës”, por se ky plan është vetëm fillimi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
1 mijë furra buke janë mbyllur në 20 vitet e…