Presidenti i Polonisë do ta nënshkruajë ligjin kontrovers për Holokaustin

06 shkurt 2018 | 15:19

Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, ka thënë se do të nënshkruajë një ligj për Holokaustin, pavarësisht kundërshtimeve nga Izraeli, Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) dhe Ukraina.

Me ligjin e ri parashihen gjoba ose dënim me burg deri në tre vjet për përshkrimin e kampeve të Gjermanisë naziste në Poloni si “kampe polake të vdekjes”.

Edhe sugjerimet publike se populli ose shteti polak ka marrë pjesë në gjenocidin e kryer nga Gjermania naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore, do të dënohen.

Qeveria e Polonisë thotë se ligji është i nevojshëm për të mbrojtur reputacionin e polakëve si viktima të agresionit nazist.

Izraeli ka reaguar me shqetësim, duke thënë se ligji do të ndalojë deklarimet e vërteta për rolin e disa polakëve që kanë luajtur në krimet naziste.

Më 5 shkurt, ministri i Arsimit i Izraelit, Naftali Bennett, ka thënë se do të udhëtojë në Poloni për të diskutuar ligjin. Por, një zëdhënëse e Qeverisë polake ka thënë se Varshava e ka anuluar vizitën e tij.

Uashingtoni e ka kritikuar po ashtu legjislacionin.

“Jemi të shqetësuar për pasojat që ky projektligj, nëse zbatohet, mund t’i ketë mbi interesat dhe marrëdhëniet strategjike të Polonisë, përfshirë me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin”, ka thënë zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Heather Nauert, më 31 janar.

Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, ka thënë më 1 shkurt se është “thellësisht i shqetësuar” nga legjislacioni.

Disa historianë thonë se organizata paramilitare nacionaliste e Ukrainës UPA ka kryer mizori gjatë Luftës së Dytë Botërore, veçanërisht kundër polakëve në Ukrainë.

Në Poloni, luftëtarët e UPA-s janë konsideruar si grupe vdekjeprurëse, të cilat ishin përgjegjëse për spastrimin etnik të polakëve nga ajo që tani është pjesa perëndimore e Ukrainës.

Në vitin 2015, Parlamenti i Ukrainës i ka njohur ata që kanë shërbyer në UPA si “luftëtarë të pavarësisë së Ukrainës”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme…