
Presidenti serb në Kopenhagë – nga “multi-stolica” te qëndrimi në këmbë
Shkruan: Hisen Berisha
Në Kopenhagë, Aleksandar Vuçiq u gjend në pozitën më poshtëruese të karrierës së tij politike: pa karrige, pa protokoll, pa respekt.
Një lider që për vite me radhë e krenohej se dinte të “ulej në shumë karrige” u detyrua të qëndrojë në këmbë, i harruar, i shpërfillur – një ironi e hidhur për një njeri që e kishte ndërtuar tërë doktrinën e vet diplomatike mbi balancimin e rremë midis Lindjes e Perëndimit. Kjo nuk ishte rastësi; ishte mesazh. Kur humbet respektin njerëzor, pastaj humbet edhe atë protokollar e shtetëror.
Kështu trajtohen politikanët e një nomenklature kriminale, të një regjimi që historia e ka damkosur si gjenerues i krimeve e gjenocidit.
Asambleja e Përgjithshme e OKB-së tashmë e ka thënë qartë. Dhe Vuçiq nuk është askush tjetër përveç zëdhënësit gebelsian të Millosheviçit, atij që justifikonte doktrinën fashiste të “për një serb të vrarë, do të vriten 100 boshnjakë”. Sot Evropa ia kthen me të njëjtën gjuhë – heshtje, shpërfillje dhe mosdhënie të vendit që pretendon.
Kështu trajtohet një kriminel që kurrë nuk denoncoi agresionin rus ndaj Ukrainës, që nuk u bashkua me sanksionet ndaj Moskës dhe që vazhdon ta lidhë Serbinë pas oligarkëve të Kremlinit.
Kështu trajtohet një figurë e degraduar që në vend të integrimeve euroatlantike renditet në “paraden” e Shangait, përkrah diktatorëve të fundit komunistë.
Një president që e refuzon përballjen me të kaluarën, që nuk kërkon falje për krimet ndaj popujve të tjerë dhe që mbetet peng i gjenit fashist të së kaluarës.
Në Samitin e Komunitetit Politik Evropian, të gjitha vendet kandidate flisnin për integrime dhe hapa drejt BE-së. Vetëm Vuçiq kishte temë tjetër: si të shpëtojë nga sanksionet amerikane. Sepse Serbia sot nuk është midis integrimeve dhe zhvillimit, por midis dy zjarreve – amerikan dhe rus – duke humbur çdo karrige të premtuar.
Në Kopenhagë u bë e qartë: “multi-stolica” e Vuçiqit ka përfunduar. Nga shumë karrige i mbeti vetëm një, dhe atë mezi e gjeti për ta vënë në cepin e një tavoline. Në fund, Evropa i dha një vend që nuk kishte nevojë për protokoll – qëndrimin në këmbë apo në cepin e një tavoline. Dhe kjo, në fakt, ishte karrigia e vetme që Serbia e Vuçiqit e meriton sot.
Përveç Vuçiqit në Nju Jork e në Kopenhagë, një mesazh po aq poshtërues dhe izolues iu dha edhe Albin Kurtit gjatë qëndrimit në SHBA.
Arroganca e shndërruar në doktrinë, sjellja joserioze dhe mosbesimi që ka mbjellë tek aleatët kanë sjellë faturën më të rëndë politike për Kosovën. Frustrimi i akumuluar në Uashington – aleatin tonë historik – ka shpërthyer në masën më drastike: Kosova sot është nën sanksionet e BE-së dhe, për herë të parë, edhe nën sanksionet e SHBA-së, me pezullimin e Dialogut Strategjik. Kjo nuk është më një paralajmërim, por një verdikt: izolimi nuk është ekskluzivitet i regjimit të Vuçiqit, por është bërë realitet i qeverisjes së Kurtit.
Në fund të ditës, mesazhi është i qartë për të gjithë liderët që ngatërrojnë arrogancën me diplomacinë, joseriozitetin me strategjinë dhe mosbesimin me fuqinë: askush nuk është mbi rregullat e respektit ndërkombëtar. Vuçiqi dhe Kurti janë dy fytyra të së njëjtës medalje – të izoluar, të shpërfillur dhe të ndëshkuar nga e njëjta ligjëratë diplomatike që nuk fal poshtërimin e sjelljeve autokratike. Historia dhe politika e madhe nuk bëjnë dallime mes arrogancës së Beogradit dhe sjelljes së Prishtinës; mesazhi është i njëjtë: kush nuk respekton aleatët dhe normat, e humb karrigen – në çdo kryeqytet dhe çdo samit.