Presidentit Thaçi i vijnë reagime nga zyrtarë të Vetëvendosjes

16 tetor 2020 | 08:23

Partisë së Albin Kurtit nuk i ka pëlqyer deklarata e mbrëmshme e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, për liderin e tyre. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pasur disa kritika për veprimtarinë e Kurtit gjatë kohës së luftës. Ai ka thënë se Kurti ka kënduar te Serbia “si bylbyl”, e njëjtë thotë se vepron edhe sot. “E di se mund të jetë i shqetësuar se e vërteta del në shesh, por do të ndihet i turpëruar edhe para fëmijëve të vet. Ai e di. Albin Kurti ka kënduar te Serbia si bylbyl. Këndon edhe sot. Ai e di shumë mirë se kur unë jam dënuar nga Serbia me 20 vjet burg ai ka dëgjuar ‘Bjello Dugmën’ në Beograd. Ka marrë pjesë në koncertet e tyre”, ka thënë mbrëmë Thaçi.

Këtyre deklarimeve të presidentit u ka reaguar Vetëvendosja.

Anëtari i kësaj partie, Ilir Dugolli, shkruan se sa herë Hashim Thaçi mundohet të vë njolla në personalitetin dhe aktivitetin atdhetar e shtetëror të Albinit Kurtit, mbështetja për Kurtin rritet. “Askush më nuk i beson Gjarprit! Si zakonisht ai vazhdon të shpifë për Albinin edhe për periudhën e burgut, por askush s’i beson. E vërteta për qëndresën e Albinit në burg është një horizont i pakapshëm për Hashimin.

Hasha ligështohet edhe sot kur përballet me Vuçiçin, e lëre më të ishte në vend të Albinit. Ndërsa Albini nuk u mposht e nuk u tremb në burg, e lëre më në liri. Albini ka shumë shokë sepse kurrë nuk e braktisi idealin për liri e shtet të së drejtës. Ndërsa Hashimi nuk ka më shokë, sepse e braktisi idealin dhe i humbi edhe ata shokë që i kishte”, ka shkruar Dugolli.

Këtë deklaratë të Dugollit e ka mbështetur edhe anëtari i kryesisë së Vetëvendosjes, Xhelal Sveçla, që e ka shpërndarë postimin e tij mëngjesin e sotëm.

Deklaratës së presidentit i ka reaguar edhe ish-këshilltari i Kurtit, Jeton Zylfaj. Ai në “Facebook” ka shkruar se vetë Thaçi ishte larg vijave të fronit të luftës e afër vijave për pushtet e pasurim.

Anëtari i kryesisë së LV-së, Arbër Zaimi, ka shkruar se Thaçi i ka keqpërdorur të gjitha mundësitë për t’i forcuar e zhvilluar shqiptarët. Deklarata e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, vjen pas deklarimit të Albin Kurtit se presidenti i vendit “ka kënduar si bylbyl para prokurorëve të Hagës për katër ditë me radhë”.

   

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Autoritetet lokale kineze kanë testuar për koronavirus thuajse të gjithë…