Presidentja e Moldavisë: Agjentë rusë të arrestuar në Moldavi, ishin të trajnuar në Serbi

23 shtator 2025 | 08:20

Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu, në një deklaratë dramatike drejtuar qytetarëve, paralajmëroi se Rusia po përpiqet të destabilizojë vendin përmes një plani të organizuar që kërcënon sovranitetin, pavarësinë dhe të ardhmen evropiane të Moldavisë. Ajo theksoi se agjentë të trajnuar në Serbi janë arrestuar në një operacion të gjerë nga autoritetet moldave.

Deklarata e Sandu vjen pak ditë para zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen më 28 shtator, ku pritet përballja mes partive pro-evropiane dhe atyre me orientim prorus.

“Po ju flas me gjithë seriozitetin – sovraniteti, pavarësia, integriteti dhe e ardhmja evropiane e Moldavisë janë në rrezik”, tha Presidentja në një fjalim televiziv. Ajo akuzoi Kremlinin për një fushatë të sofistikuar ndërhyrjeje, duke financuar me qindra milionë euro për të blerë vota nga të dy anët e Dnjestrit dhe jashtë vendit.

Sipas saj, dhjetëra njerëz janë paguar për të shkaktuar trazira, përhapur dhunë dhe frikësuar qytetarët. “Qindra individë paguhen për të provokuar dhunë dhe për të futur frikë në zemrat e qytetarëve tanë,” tha Sandu.

Autoritetet moldave kanë kryer rreth 250 bastisje në disa qytete të vendit, duke arrestuar mbi 70 persona të moshës 19 deri 45 vjeç, të dyshuar si pjesë e një rrjeti për destabilizimin e vendit. Sipas Kryeprokurorit për Krimin e Organizuar, Victor Furtuna, të arrestuarit kanë udhëtuar në mënyrë të përsëritur drejt Serbisë, ku kanë marrë trajnim të specializuar. Disa prej tyre nuk ishin të vetëdijshëm për qëllimin e vërtetë të udhëtimeve, të cilat u ishin paraqitur si “pelegrinazhe”.

Sandu nënvizoi se Moldavia është shënjestruar nga një luftë hibride e organizuar nga Rusia, që përfshin manipulimin e zgjedhjeve, fushata dezinformuese dhe infiltrimin e partive proruse përmes financimeve të dyshimta.

Ajo paralajmëroi se ndikimi rus në Moldavi do të kishte pasoja jo vetëm për vendin, por edhe për sigurinë evropiane dhe stabilitetin në Ukrainën fqinje. “Nëse humbim Moldavinë, Evropa do të përfundojë në kufijtë tanë. Fondet evropiane do të ndalen. Liria e lëvizjes mund të zhduket. Vendin tonë mund ta përdorin si trampolinë për të infiltruar drejt Odesës. Pridnjestrovia do të destabilizohet,” tha Presidentja.

Moldavia aplikoi për anëtarësim në Bashkimin Evropian në vitin 2022, menjëherë pas nisjes së agresionit rus ndaj Ukrainës, dhe mori statusin e vendit kandidat të njëjtin vit. Hapja e negociatave vitin e kaluar ka tensionuar më tej marrëdhëniet me Moskën.

“Kremlini beson se jemi të vegjël dhe të blerë, se nuk jemi shtet por territor. Por Moldavia është shtëpia jonë – dhe shtëpia jonë nuk është në shitje,” përfundoi Sandu.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mike Waltz, i dërguari i ri i ShBA-së në Kombet…