Presidentja Osmani pret në takim ministren e Jashtme të Shqipërisë
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali është pritur të mërkurën në takim nga presidentja e Kosovës Vjosa Osmani.
Fillimisht Spiropali është takuar me zëvendëskryeministrin e parë dhe ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, me të cilën kanë mbajtur një konferencë për medie.
Pas takimit me Osmanin, Spiropali do të ketë takime të veçanta me kryetaren e Kuvendit, Albulena Haxhiu si dhe me kryeministrin Albin Kurti.
Spiropali do të zhvillojë gjithashtu takime me drejtuesit e partive kryesore parlamentare në Kuvendin e Kosovës, kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, atë të LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe liderin e AAK-së, Ramush Haradinaj.
Takimet do të fokusohen te thellimi i bashkëpunimit në mes të dy vendeve, riaktivizimi i mekanizmave institucionalë të bashkëpunimit, përgatitjet për mbledhjen e përbashkët qeveritare G2G dhe zbatimi i marrëveshjeve të nënshkruara.
Po ashtu, në zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik, veçanërisht në zbatimin e projekteve madhore kombëtare si hekurudha Durrës-Prishtinë, shtimin e projekteve infrastrukturore dhe energjetike të përbashkëta, pa lënë mënjanë koordinimin në mbështetje të faktorit shqiptar në rajon dhe bashkëpunimin me diasporën.
Gjatë vizitës, Spiropali do të theksojë mbështetjen e Shqipërisë për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, avancimin e njohjeve të reja dhe anëtarësimin e Kosovës në organizatat rajonale e ndërkombëtare, si dhe për integrimin euroatlantik të Kosovës.



