Presidentja Osmani: Rruga deri tek pavarësia nuk ishte e lehtë

17 shkurt 2022 | 11:47

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se pavarësia e Kosovës është shpallur para 14 vitesh pas një rrugëtimi jo të lehtë.

Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës për nder të 14-vjetorit të pavarësisë, Osmani ka thënë se synimi i Kosovës ka qenë pavarësia si një parakusht për paqe dhe stabilitet në rajon.

“Të nderuar ambasador dhe përfaqësues diplomatik. Në këtë sallë 14 vjet më parë Kosova u shpall shtet duke jetësuar kështu vullnetin e qytetarëve tonë për të jetuar në një vend sovran dhe të pavarur. Aspirata shekullore e popullit të Kosovës u materializuar me pavarësinë e Kosovës e cila hapi një kapitull të ri, jo vetëm për ne por edhe për globin, duke regjistruar në historinë njerëzore të asaj kohe shtetin më të ri në botë. Rruga deri në këtë akt nuk ishte e lehtë. U dashtë shumë mundë, shumë sakrifica dhe sfida për ta bërë lirinë e po aq shumë për ta bërë shtetin. Nën udhëheqjen e atit tonë themeltar, presidentit dr Ibrahim Rugova, Kosova në atë kohë i bëri të ditur botës demokratike se synimi i saj ishte pavarësia e vendit si një parakusht për paqe dhe stabilitet në rajon”, ka thënë ajo, duke përmendur edhe luftën për liri.

“Çlirimi nga robëria nuk ishte drama jonë kombëtare me një akt. Prandaj për aq sa u rrit shtypja ndaj nesh po me atë ritëm nisi të transformohet rezistenca jonë paqësore në rezistencë të armatosur”, ka thënë ajo.

Më tutje, Osmani ka përmendur edhe ndihmën e ndërkombëtare në rrugën e Kosovës drejt arritjes së pavarësisë.

“Jemi këtu sot jo vetëm fal angazhimit dhe sakrificës sonë por edhe pse patëm ndihmën e miqve tanë. Bota demokratike nuk heshti asnjëherë para vuajtjeve të vendit tonë. Këto vende më 1999 u vunë në anën e drejtë të historisë duke na mbrojtur nga shfarosja e synuar nga regjimi i Millosheviqit. U vunë në anën e lirisë si një e drejtë themelore njerëzore. Prandaj liria jonë u dedikohet edhe shteteve mike që na u gjenden pranë në vitet më të vështira”, ka thënë ajo, duke shpresuar se ndërkombëtarët do ta ndihmojnë Kosovën edhe në rrugën e integrimit dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këngëtarja e njohur, Leonora Jakupi ka folur ekskluzivisht në emisionin…