Në postimin e saj në rrjetet sociale, Osmani tha se në dhomën ku ndodheshin trenjakët kishte dashuri, forcë dhe përkushtim. Ajo vuri në dukje se përveç trenjakëve, aty ndodheshin edhe dy foshnja të tjera, nënat e të cilave kishin lindur për herë të tretë, duke dëshmuar se familja mbetet një vlerë e fortë e shoqërisë.

Presidentja theksoi se trenjakët po rriten të rrethuar nga dashuria e pakushtëzuar e nënës dhe familjes, si dhe nga përkujdesja maksimale dhe profesionale e personelit mjekësor, të cilët çdo ditë japin më të mirën për jetët më të reja.

“Çdo lindje është një investim për të ardhmen tonë të përbashkët. Mbështetja për nënat, fëmijët dhe familjet duhet të vazhdojë. Uroj që këta fëmijë të rriten me shëndet, dashuri dhe siguri, e që çdo nënë të ndihet e mbështetur, e respektuar dhe e vlerësuar,” theksoi Osmani.