“Presion i hapur ndaj qytetarëve”, “sjellje e paprecedent”: Kritikohet ashpra vizita e Kurti në Mitrovicë
Lideri i VV-së, Albin Kurti, gjatë terë ditës se sotme ka vizituar disa komuna ku partia e tij është në balotazh. Pas votimit në Prishtinë, ai ka shkuar për të pirë kafe në Fushë Kosovë, ndërsa më pas është ndalur për një shëtitje në Vushtrri.
Në orët e pasdites, ai ka zgjedhur të vizitonte edhe Mitrovicën, komuna ku po zhvillohet gara më e fort në raundin e dytë të zgjedhjeve.
Paralajmërimi i kësaj vizite, ka nxitur reagime të ndryshme në këtë qytet.
Në lokalin ku ishte paraparë që Kurtin të pinte kafe ishin mbledhur shumë qytetarë.
Nga frika e eksalimit të situatës, pronari Gani Haziri e ka mbyllur lokalin, duke i nxjerr jashtë myshterinjtë.
Para mediave, ai ka treguar arsyet e mbylljes së lokalit.
“Asnjë palë nuk ka kërkuar me u liru hapësira, e pashë që është duke dalë prej kontrollin gjendje dhe për mos me u ba diçka më madhe”, ka thënë ai.
Ai ka treguar se nga punëtorët e tij e kishte kuptuar se Kurti po dëshiron të vijë në lokalin e tij.
“E kom marrë vesh prej punëtoreve të mi që po vjen Albin Kurti dhe unë jam ardhë me e prit në formën më të mirë që duhet, sepse është kryeministër i Kosovës. Por e pash që po eskalon situata dhe për qet arsye(e mbylla)”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se të gjithë myshterinj e kanë mirëkuptuar.
“Na kanë mirëkuptuar krejt, të dy palët. Arsyeja e vetme ka qenë që mos me u ba më e madhe diçka ”, ka deklaruar Haziri, duke shtuar se asnjëherë më parë Albin Kurti nuk ka qenë në këtë lokal.
Më pas, lideri i VV-së ka gjetur një lokal tjetër për të pirë kafe me kandidatin e VV-së për kryetar të Mitrovicës, Faton Peci.
Edhe njohesit e rrethanave politike e kanë kritikuar këtë sjellje të Kurtit.
Analisti Shenoll Muharremi ka bërë me dije se ky veprim është presion direkt te qytetarët e kësaj komune.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se Kurti duhet të turpërohet nga këto veprime.
“Kish shku kryetari i LVV-së në Mitrovicë përsëri. Po më qeshet me të se po sillet si fëmijë paksa. Ama kjo bre është presion direkt te qytetarët atje dhe tendencë me ndiku rezultatin final. Aty është tepër ngushtë puna, ndoshta për 200 vota vendoset. Si nuk ju vjen turp me shku me gjithë ata xhipa e me bodigarda atje ka 2-3 herë në ditë e me ju bë presion njerëzve. Po luftojnë të gjithë kundër një djali të ri e të ndershëm. Po çka të duhet ajo fitore i dashur, edhe nëse e fiton kështu? A nuk të vjen marre? Sinqerisht, nëse fiton sot Arian Tahiri në Mitrovicë, Albin Kurti duhet sonte me dhënë dorëheqje pas asaj çka kemi parë këto ditë”, ka shkruar ai.



