PREZANTIMI I VLERAVE TË POEZISË BOTËRORE, PËRMES LIBRAVE ANTOLOGJIKE
Bedri Halimi
Lexuesi duhet t’i kthehet poezisë, por që të bëhet kjo, së pari poezia duhet t’i kthehet lexuesit
Edhe përkundër faktit se interesimi për poezinë ka rënë pothuaj në pikën kritike, për shkak të gjendjes socio-ekonomike, kulturore si dhe morale në të cilën ndodhet Kosova dhe përgjithësisht shoqëria shqiptare, megjithatë bëhen përpjekje të caktuara, për t’i prezantuar vlerat e poezisë në libra të veçantë. Kështu për shembull në disa libra përpiluesit e tyre përdorin kriteret sipas shijes që kanë.
Në disa libra të tjerë përpiluesit e librit janë njëkohësisht edhe përkthyes të poezive. Kriteret e përzgjedhjes të këtyre poezive të autorëve të ndryshëm botëror varen nga shija, para së gjithash e përkthyesve.
Në disa libra, duke dashur përpiluesi i librit të jetë sa më origjinal me vetveten dhe jo me autorin e përkthyer, bën përzgjedhjen e poezive të papërkthyera, për t’ia sjellë opinionit lexues si një libër origjinal me vlera të reja. Në këto raste dëmtohet autori i prezantuar, përmes përzgjedhjes subjektive të krijimeve të tij, sepse mund të ndodh që krijimet më të arrira të përkthyera nga përkthyes të tjerë dhe të botuara në ndonjë libër tjetër, nuk përfshihen në antologjinë përkatëse.
Prezantimi i poezisë spanjolle, franceze…
Këtu më poshtë po sjellim disa shembuj të botimeve të disa librave me poezi nga autorët botëror:
Libri me titull: “Poezi spanjolle të shekullit XX”, botuar që nga viti 1991 nga shtëpia botuese “Naim Frashëri” është përgatitur dhe përkthyer nga Aurel Plasari, i cili është munduar që të ruajë strukturën poetike të autorëve spanjoll. Po kështu edhe libri me titull: “Poezia franceze e shekullit XX-Antologji”, e përkthyer nga Anton Papleka, i botuar nga shtëpia botuese “Uegen”, Tiranë, 2003, është një libër, që pasqyron krijimet e një numri të madh të poetëve francezë (81 sosh).
Mirëpo, edhe në këtë libër, brenda 240 faqeve nuk mund të prezantohet mirëfilli, secili autor i përzgjedhur. Madje ka shumë autorë të cilët janë prezantuar edhe me nga një poezi të vetme. Në këtë libër, nuk ndodh niveli i prezantimit të poetëve, siç ndodh p.sh, në librin e përgatitur nga Aurel Plasari të përgatitur me poezi spanjolle, i cili përmban 460 faqe me gjithsej 61 autorë.
Gjithashtu nga shtëpia botuese “Mësonjëtorja”, (për çudi viti nuk i figuron askund), nga i njëjti përkthyes dhe përpilues i librit, botohet libri me titull: “33 poetë francez-poezi të përzgjedhura” , i cili libër brenda 215 faqeve bën përpjekje për të prezantuar krijime nga krijimtaria e këtyre poetëve francezë.
Ndërkaq në Kosovë, nga shtëpia botuese “Rilindja” qysh më 1988, është botuar libri me lirikë bashkëkohore frënge titulluar: “Kurrizi i engjëllit”, i përzgjedhur dhe përkthyer nga Muhamet Kërveshi. Ky libër brenda 270 faqeve përmban 22 autorë, ku numri i poezive të prezantuar nga autorët është i mjaftueshëm, por jo edhe niveli i prezantimit.
Aq më tepër, që në qoftë se lexuesi i vëmendshëm do të lexojë krijimet poetike të të njëjtit autor të përkthyera nga këta dy përkthyes, do të vërejë dallime edhe në strukturën e poezisë të të njëjtit autor.
Prezantimi i poezisë gjermane, italiane…
Në vitin 2000, nga shtëpia botuese “Logoreci”, është botuar libri me titull: “Poezi gjermane, austriake, zvicerane”, zgjedhur dhe përkthyer nga gjermanishtja prej përkthyesit dhe studiuesit Petraq Kolevica. Ky libër brenda 330 faqeve mundohet të paraqes nivelin e poezisë gjemanofone, përmes prezantimit të 46 poetëve gjermanë, 18 poetëve austriakë, 9 poetëve zviceran si dhe 3 të tjerë, që shkruajnë në gjuhën gjermane. Sado që si libër pretencioz, megjithatë nuk ia ka dalë në nivel të kënaqshëm, që të paraqesë në formë antologjie poezinë gjermane, duke filluar që nga poezia popullore e shek. XII e këtej.
Ky libër gjithsesi ka mbetur në nivelin e një panorame poetike dhe asesi antologjie, (ku edhe përpiluesi i librit nuk e quan antologji). Prandaj, edhe shumë autorë në këtë libër prezantohen me shumë pak krijime (disa prej tyre edhe me nga një).
Ndërkaq në Kosovë më 1988 nga redaksia e botimeve të Rilindjes është botuar libri: “Qumështi i zi i agimit” (lirikë e re gjermane) zgjedhur dhe përkthyer nga Isak Ahmeti, i cili në këtë libër brenda 190 faqeve mundohet t’i paraqes vlerat poetike të 31 poetëve gjermanë. Në disa raste ia del të prezantojë në nivel të kënaqshëm numerikisht disa autorë, kurse në disa stagnon apo edhe ndonjë nuk e fut fare, si p.sh, Herman Hesen.
Nga poezia italiane, vlen për t’u përmendur në këtë rast libri: “Poezi italiane e shek XX”, e përgatitur nga Klara Kodra dhe Donika Omari, e botuar nga shtëpia botuese “Elena Gjika”, Tiranë, 2000.
Ky libër brenda 380 faqeve përmban 50 autorë dhe mund të thuhet se është ndër librat më të realizuar, krahas librit të përgatitur nga Aurel Plasari me poezi spanjolle edhe pse ky libër nuk quhet antologji, ka tiparet e një antologjie edhe përkundër faktit se ndonjë autor prezantohet me shumë pak poezi.
Përzgjedhja e poezive nga këto dy studiuese është bërë me kujdes nga shumë përkthyes të ndryshëm, krahas edhe përkthimeve të veta.
Gjithashtu, në vitin 2005, nga shtëpia botuese “Plejad” është botuar libri: “Antologji e poezisë italiane e shek. XIX-XX” përkthyer dhe përgatitur nga origjinali nga Dritan Thomollari. Ky libër brenda 447 faqeve përmban 85 poetë dhe ndonëse niveli i poezive të prezantuara është i kënaqshëm për autorët e prezantuar, megjithatë do të ishte më e udhës, sikur antologjitë e poezisë të ndaheshin brenda një shekulli, gjë që nuk është kështu në këtë libër.
Prezantimi i poezisë angleze, ruse…
Në vitin 2009, gjithashtu nga shtëpia botuese “Plejad” është botuar libri “Antologji e poezisë në gjuhën angleze e shekullit XIX”, hartuar dhe përkthyer nga Dritan Thomollari. Ky libër brenda 320 faqeve përmban 35 autorë britanez dhe 25 poetë amerikan. Ndonëse hyn ndër librat e realizuar, megjithatë brenda tij do të ishte mirë, sikur të prezantoheshin edhe poetë të tjerë, nga Britania e Madhe (Skocia, Irlanda, Uellsi), si p.sh, Xhojsi edhe pse është më i njohur si prozator, etj.
Gjithashtu, prezantimi i Emilly Dickinson në këtë libër nuk është fare adekuat, ngase autori, ndonëse është munduar të bëjë përzgjedhjen e pjesëve të poemës së saj do të ishte mirë, që të prezantonte edhe poezi të tjera me tituj të veçantë.
Në vitin 2003, në Tiranë, nga shtëpia botuese “Albin” është botuar libri me titull: “Poezi anglo-saksone e shek XX”, përgatitur dhe përkthyer nga Azem Qazimi dhe Gazmend Krasniqi.
Ky libër brenda 226 faqeve paraqet 34 poetë. Ndonëse numri i poezive është i kënaqshëm, niveli i përkthimit lë për të dëshiruar, ngase shumë poezi janë të pakuptueshme, sa që po t’ia heqësh emrin e autorit dhe t’ia ofrosh poezinë, cilësdo redaksi të botimeve, zor se do ta pranonte ndonjëra për ta botuar.
Në vitin 1999, nga botimet Dritëro është botuar libri: “Shekulli i argjendtë”, shqipëruar nga rusishtja dhe përgatitur nga Dritëro Agolli. Ky libër brenda 556 faqeve prezanton 20 autorë rusë, ku niveli i prezantimit të secilit autor është i kënaqshëm, qoftë si emër, qoftë edhe si volum.
Mirëpo, lind pyetja, a janë vetëm këta 20 autorë të letërsisë ruse që janë përfaqësuesit e vetëm të poezisë ruse të shek XIX? Sigurisht jo. Ndonëse libër i arrirë, megjithatë vlen për të theksuar se krijimet e shumë poetëve në këtë libër, për nga struktura gjasojnë me njëri – tjetrin dhe të lënë përshtypjen, sikur nuk janë shkruar nga autorë të ndryshëm, por nga një autorë i vetëm. Me fjalë tjera, këto poezi ruse tingëllojnë ngapak Agollqe.
Në vitin 2007 nga shtëpia botuese “Uegen”, Tiranë, botohet libri me titull: “Antologjia e poezisë ruse” e përgatitur dhe e përkthyer nga Aleko Ballauri. Ky libër brenda 198 faqeve përmban 45 poet rus. Prezantimi i tyre në të shumtën e rasteve bëhet me shumë pak poezi, kurse te disa prej tyre, madje as nuk prezantohen fare titujt e poezive. Ndonëse përkthimet duket se janë funksionale, të pretendosh për antologji të poezisë ruse me kaq pak faqe, madje që nga shekulli XVII është një pretendim, që lë shumë për të dëshiruar.
Pretendimet për antologji botërore
Në vitin 2008 në SHBA, nga shtëpia botuese “Equinoxes Publishing House”, është botuar libri: “Antologji e poezisë botërore e shek. XX”, përzgjedhur dhe përkthyer nga Betim Muqo. Ky libër, i cili është ndër më voluminozët deri më tani, brenda 600 faqeve përmban krijimet e 135 poetëve nga vende të ndryshme të botës. Numri i madh i poetëve ja ka pamundësuar këtij përpiluesi të librit në fjalë, për t’i prezantuar autorët me më shumë krijime të tyre. Këtë e pranon edhe vetë përkthyesi.
Ndonëse mund të konsiderohet si libër i suksesshëm, megjithatë, në disa gjëra çalon, ngase përzgjedhja e poezive është bërë kryesisht, përmes internetit dhe jo nga librat e veçantë të autorëve të ndryshëm. Kjo d.m.th., që edhe përkthimet nuk janë bërë nga shumë gjuhë të botës, por kryesisht nga dy, tri sosh.
Në këtë libër gjithashtu ka edhe ndonjë poet, i cili nuk është ndonjë emër i shquar në letërsinë botërore, siç është p.sh., Vill Aleksandër, në krahasim me mungesën e disa emrave të shquar në këtë libër, si Kiplingu, Bukovski, Brehti etj.
Në vitin 2009, nga shtëpia botuese “Uegen” është botuar libri me titull: “Antologjia e poezisë botërore” e përfaqësuar me 40 poetë, nga të cilët 16 nobelistë. Ky libër është përkthyer dhe përgatitur nga poeti Faslli Haliti, i cili libër brenda 364 faqeve, autorët që i prezanton janë në nivel të kënaqshëm. Por normalisht me 40 poetë, sa mund të quhet antologji e poezisë botërore?
Në vitin 2005, në edicionin e botimeve të shtëpisë botuese “Toena”, në Tiranë, u botua libri poetik me titull: “Qielli pikon Yje”, (Antologji e poezisë lirike botërore), përkthyer dhe përgatitur nga Muzafer Xhaxhiu. Në këtë libër brenda 415 faqeve përpiluesi prezanton krijime nga krijues prej 40 vendeve të botës.
Mirëpo gjatë leximit lexuesi has në kritere të çuditshme të përpiluesit, ku as përzgjedhja e autorëve nga vende të ndryshme nuk është prezantuese më e denjë e vlerave poetike të atij vendi, pastaj përpiluesi më tepër i kushton rëndësi poezisë të vendeve ballkanike, madje edhe poezive popullore nga vendet e Ballkanit, të cilat edhe pse mund të kenë vlera të caktuara, asesi nuk i plotësojnë kriteret për t’u futur në antologji të poezisë lirike botërore, siç pretendon përpiluesi. Për të parë se sa joseriozë është pretendimi për këtë të ashtuquajtur antologji e poezisë lirike botërore, prezantojmë numerikisht disa të dhëna:
Nga Greqia paraqiten dy poet me nga një poezi, nga Bullgaria 16 poetë me nga një poezi, nga Sllovenia 22 poezi, nga Kroacia 8 poet, nga Serbia 12 poetë, nga Mali i Zi 6 poet, nga Maqedonia 8 poet, nga Bosnja 7 poetë e kështu me radhë. Kurse nga Gjermania paraqiten 3 poezi nga 3 poet, nga Italia 7 poezi nga 6 poet, nga Franca 10 poezi nga 7 poet, nga Anglia 3 poezi nga 3 poet, nga Spanja 3 poezi nga 2 poet, nga Amerika 2 poezi nga 2 poet e kështu me radhë, duke e quajtur kështu përpiluesi i librit këtë prezantim “Antologji e poezisë lirike botërore”.
Edhe pse në parathënien e tij thotë se “një vend me rëndësi të veçantë zënë poetët nga vendet e Ballkanit dhe poezia e tyre popullore”, si dhe e pranon se ka përzgjedh poet më pak të njohur me një kriter të tillë të çuditshëm, si mund të quhet Antologji e poezisë botërore?! Ky libër mund të jetë i një niveli p.sh., me librin poetik: “Nesër takohemi sërish”, botim i shtëpisë botuese “Mësonjëtorja”, Tiranë, 2005.
Madje përkrah kriteret e përzgjedhjes të autorëve, është mbrapa edhe këtij libri. Dhe megjithatë libri me poezi botërore “Nesër takohemi sërish” nuk quhet nga përpiluesit e tij si Antologji.
Botimi i librave të tillë, s’do mend se mund të ketë edhe subjektivizëm nga përpiluesit e librave, por megjithatë është e nevojshme që secili përpilues, të mundohet për ta prezantuar sa më denjësisht atë epokë, atë poezi të atij populli apo edhe të popujve të ndryshëm.
Vërtetë lexuesi duhet t’i kthehet poezisë, por që të bëhet kjo, së pari poezia duhet t’i kthehet lexuesit.



