Prezantohet projektbuxheti për vitin 2021, opozita kritikon shkurtimin e buxhetit për shëndetësi

18 nëntor 2020 | 12:55

Zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi gjatë prezantimit të Projektbuxhetit për vitin 2021, ka thënë se të hyrat buxhetore për vitin e ardhshëm pritet të jenë mbi 1 miliardë e 800 milionë euro ose 5 për qind më shumë se në vitin paraprak.

Derisa sipas Krasniqit shpenzimet buxhetore për vitin 2021 me këtë projektbuxhet do të jenë 2 miliardë e 412 milionë euro.

Për këtë projektbuxhet pati kritika nga deputetët e opozitës për ndarjet buxhetore, që sipas tyre është shkurtuar buxheti për shëndetësi dhe është rrit buxheti për infrastrukturë. Kësisoj ata u shprehën se nuk do ta mbështesin këtë buxhet.

Për shkak të efekteve negative të shkaktuara nga pandemia në ekonomi, zëvendësministri Krasniqi gjatë prezantimit të projektbuxhetit në Komisionin për Buxhet dhe Transfere, ka theksuar se rënia ekonomike për vitin 2020 parashihet të jetë 6.7 për qind, ndërsa në vitin 2021 pritet që të ketë kthim pozitiv ose rritje ekonomike 5.2 për qind.

Ai para deputetëve ka thënë se me projektbuxhetin për vitin e ardhshëm do të ketë kursime 1.5 për qind për kategoritë e shpenzimeve për mallra dhe shërbime.

“625 milionë euro janë paraparë për paga. Shpenzimet për subvencione janë ul për 5.2 për qind, ndërsa janë paraparë 613 milionë euro investimet kapitale. Deficiti buxhetor pritet të jetë 4.2 për qind. Ndërsa, rënia e të hyrave deri në fund të vitit 2020 do të jetë mbi 320 milionë euro”, ka thënë Krasniqi.

Ndërsa deputetja e Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka kritikuar ndarjet buxhetore, e cila ka thënë se do të ketë shkurtime buxhetore për Ministrinë e Shëndetësisë 25 milionë euro, kurse 54 milionë euro më shumë për Ministrinë e Infrastrukturës.

“Përkundër çka ka ndodhë me pandemi në Kosovë dhe në Botë, ka shkurtimi të buxhetit në shëndetësi, arsim dhe ekonomi, ndërsa ka rritje të buxhetit për infrastrukturë. Pra, qeveria vazhdon rritjen e buxhetit për asfalt”, ka thënë Kusari-Lila.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka thënë se në aspektin teknik buxheti është përgatitur në bazë të standardeve, ndërsa sa i përket vlerësimeve për rritjen ekonomike do të jetë më thellë se ajo që është parashikuar 6.7 për qind.

Sipas tij, ky buxhet nuk zhvillimor dhe përveç kësaj ka lënë anash sektorët e shëndetësisë dhe ushtrisë.

“Kjo qeveri kishte prezantuar programin qeverisë për mbështetje për shëndetësi, program zhvillimor, investime miliardëshe, shërbimin ushtarak. Megjithatë, këto asnjë nuk qëndrojnë deri tash. Është rritë borxhi publik. Ndërsa, buxheti i vitit për 2021 do të jetë sa ai i vitit 2019. Kështu që ne si PDK nuk do ta mbështesim këtë buxhet”, ka thënë Hamza.

Më tutje, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Fatmir Rexhepi, ka thënë se parashikimet buxhetore dhe vlerësimet ekonomike pamundësojnë matjet reale për shkak të pandemisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prokuroria Speciale ka kërkuar kohë që t’i nxjerrë provat kundër…