Princesha e Norvegjisë thyen heshtjen për lidhjet me Epsteinin: U manipulova dhe mashtrova

20 mars 2026 | 14:21

Princesha e kurorës së Norvegjisë, Mette-Marit, i ka thënë televizionit kombëtar të vendit të saj, se dëshiron të mos e kishte takuar kurrë financierin amerikan Jeffrey Epstein, i cili vdiq në burg në vitin 2019, duke thyer heshtjen shtatë-javore pas zbulimit të kontakteve të saj me të.

“Ndjehem shumë e manipuluar, dhe kur je i manipuluar, nuk e kupton që në fillim”, ka thënë Mette-Marit në një intervistë 20-minutëshe, ku shpesh herë shihej mes lotësh.

Shtatë javë më parë, norvegjezët zbuluan se princesha kishte shkëmbyer qindra email-e me Epstein-in midis viteve 2011 dhe 2014, dhe kishte qëndruar në shtëpinë e tij në Florida kur ai nuk ishte aty.

“Është jashtëzakonisht e rëndësishme për mua të marr përgjegjësi që nuk kontrollova më me kujdes të kaluarën e tij”, ka thënë ajo, duke shtuar: “Dhe të marr përgjegjësi që u manipulova dhe u mashtrua ashtu siç ndodhi”.

Ajo tashmë ka kërkuar falje dhe ka pranuar se ka patur një “gjykim të dobët”, pasi lidhjet e saj të ngushta me Epstein-in dolën në dritë kur miliona dokumente të tij u publikuan nga Departamenti i Drejtësisë i ShBA-së në fund të janarit.

“Sigurisht që do të doja të mos e kisha takuar kurrë”, ka thënë princesha, duke theksuar se viktimat e Epstein-it meritojnë drejtësi për abuzimet e rënda që kanë pësuar.

Ajo ka shprehur zemërim që ende nuk e kanë marrë atë drejtësi.

Vendimi i saj për të folur publikisht erdhi pas presionit të madh dhe kërkesave për shpjegime, përfshirë edhe nga kryeministri Jonas Gahr Støre.

Në intervistë, ajo ka pranuar se kishte qenë tepër besuese ndaj Epstein-it, por ka këmbëngulur se ai ishte një “kontakt privat” dhe nuk kishte njoftuar pallatin apo ministrinë e jashtme për lidhjet e saj me të.

Ajo ka shpjeguar se qëndrimi i saj disa-ditor në shtëpinë e Epstein-it në Palm Beach në vitin 2013 kishte ardhur për shkak të një të njohuri të përbashkët. Princesha ka folur për një “situatë” që e ka bërë të ndihej e pasigurt ditën e fundit të qëndrimit, duke telefonuar bashkëshortin e saj, princin Haakon, për këtë.

Princi Haakon ka kujtuar telefonatën dhe ndjenjën e pasigurisë së bashkëshortes së tij, por pavarësisht incidentit, princesha vazhdoi kontaktin me Epstein-in për një kohë. “Jam tepër besuese, prirem të mendoj më të mirën për njerëzit”, ka thënë ajo, duke shtuar: “por vendosa të ndërpres çdo kontakt të drejtpërdrejtë me të. Dhe kjo ndodhi për shkak të episodeve të tilla”.

Intervista është regjistruar të enjten, në ditën e fundit të gjyqit për përdhunim ndaj djalit të saj, Marius Borg Høiby, i cili nisi në fillim të shkurtit, pak ditë pas publikimit të dosjeve të Epstein-it. Vendimi pritet në qershor, por është e qartë se princesha priti përfundimin e gjyqit para se të fliste publikisht.

E pyetur nëse ka motivim për të vazhduar rolin e saj mbretëror, princesha 52-vjeçare, e cila vuan nga sëmundja e mushkërive fibroza pulmonare, ajo ka thënë se gjithçka varet nga gjendja e saj shëndetësore. “Jetoj me një sëmundje serioze. Kjo është ajo që vendos, qartë, nëse mund të vazhdoj të kryej rolin që kam, apo jo”.

“Do të doja shumë të qëndroja pranë tij në këtë projekt kaq të rëndësishëm dhe sfidues, nëse kam mundësinë ta bëj, duke pasur parasysh shëndetin tim”, ka thënë ajo.

Princi Haakon ka shtuar se pas më shumë se 25 vitesh martesë, ata vazhdojnë të qëndrojnë së bashku: “Ky është, në fund të fundit, projekti ynë, që po e bëjmë bashkë”. /tvklan.al/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu me rastin e…