
Princi Harry humb betejën ligjore për sigurinë në Mbretëri – nuk do të përfitojë më mbrojtje shtetërore si anëtar i lartë i familjes mbretërore
Duka i Sussex-it, Princi Harry, ka humbur betejën ligjore lidhur me nivelin e sigurisë që ai dhe familja e tij gëzojnë gjatë qëndrimit në Mbretërinë e Bashkuar.
Princi kishte kërkuar të anulohej vendimi që i kishte reduktuar masat e sigurisë pas largimit nga detyrat mbretërore dhe zhvendosjes së tij në Shtetet e Bashkuara së bashku me Dukeshën e Sussex-it, Meghan Markle.
Avokatët e tij argumentuan se ai ishte “veçuar” dhe trajtuar “në mënyrë të padrejtë”, por gjykata konkludoi se vendimi ishte marrë në përputhje me ligjin dhe nuk kishte elemente të paligjshmërisë në procesin e shqyrtimit.
Të premten, një gjyqtar i lartë vendosi se “ndjenja e padrejtësisë” së Princit Harry në lidhje me mënyrën se si ishte marrë vendimi për uljen e masave të sigurisë, nuk përbënte bazë të mjaftueshme ligjore për një apel të suksesshëm.
Kontesti ndërmjet Princit Harry dhe autoriteteve britanike nisi pas largimit të tij dhe të bashkëshortes nga angazhimet mbretërore në janar të vitit 2020 dhe zhvendosjes jashtë vendit. Princi Harry ka deklaruar më herët se shqetësimet për sigurinë kanë ndikuar drejtpërdrejt në vendimin e tij për të mos udhëtuar shpesh drejt Mbretërisë së Bashkuar apo për të sjellë atje bashkëshorten dhe fëmijët.
Në këtë sfidë të fundit ligjore, Princi argumentoi në gjykatë se komiteti qeveritar përgjegjës për planifikimin e sigurisë së anëtarëve të familjes mbretërore nuk i kishte marrë parasysh siç duhet rrethanat e tij të veçanta në vitin 2020.
Megjithatë, Gjykata e Apelit, përmes një trupi prej tre gjyqtarësh, hodhi poshtë kërkesën e tij për apel. Sir Geoffrey Vos, Master of the Rolls, theksoi se, ndonëse Princi Harry paraqiti “argumente të fuqishme dhe prekëse”, ndjenja e tij e padrejtësisë nuk mund të përkthehej në një argument të qëndrueshëm ligjor për të sfiduar vendimin e komitetit të njohur si RAVEC.
Vendimi i dhënë të premten do të thotë se Princi Harry nuk do të përfitojë më nga mbrojtja automatike dhe në nivel të lartë që iu ofrohet anëtarëve të lartë të familjes mbretërore.
Gjykata pranoi argumentin e përfaqësuesve ligjorë të Princit se ndryshimi i statusit të tij brenda familjes mbretërore nuk kishte ndryshuar domosdoshmërisht nivelin e rrezikut që ai përballej, por theksoi se nuk ekzistonte një bazë e mjaftueshme për të rishikuar vendimin që kishte reduktuar nivelin e sigurisë së tij.