
Prindërit thonë se po hyjnë në borxhe për t’i blerë librat për fëmijët
Fillim viti shkollor shumë fëmijë i ka gjetur pa libra, e prindërit e tyre i ka futur në borxhe tek të afërmit pasi subvencionimi i shtetit ende nuk u është ekzekutuar.
Nysret Lama nga Ferizaj i ka tre djemtë në shkollë, prandaj është detyruar të hyjë borxh për t’iu siguruar librat shkollorë.
“Po i kemi marr hua [paratë] diku pastaj kur t’i shpërndajë Qeveria duhet me i kthy prap… Paj më mirë ishte më herët, ata i kanë caktu shumat e parave për fëmijët. Unë për tre djem vetëm fletore kam blerë 30 euro, tash i mora 50 euro libra. Për djalin në klasën e dytë 80 euro thanë, e për ata në klasën e shtatë 30 euro. Paj nuk dalin po çka me bë, fëmijët nuk mundem me i lënë pa shkollë…”
Lama ka aplikuar me vonesë dhe nuk është në mesin e 80 mijë përfituesve të cilëve Ministria e Arsimit thotë ua ka bartur paratë në llogaritë bankare.
Numri i tërësishëm i aplikimeve sipas të dhënave të Ministrisë nga 31 gushti, është mbi 115 mijë, që do të thotë se mbi 34 mijë prindër presin paratë për libra.
“Sipas meje është dashur t’i paguajë Qeveria ashtu si ka qenë herave të kaluara…Dikush ka mundësi me i pagu dikush nuk ka, dikush është me social (ndihmë sociale), dikush nuk ka mundësi me i ble hiq aty është problemi”, thotë Sadik Berisha, një tjetër qytetar që ka dalë t’ua blejë librat fëmijëve të tij.
Përpos faktit që duhet t’i gjejnë paratë, qytetarët po ankohen edhe për ngritje të çmimeve e pritje të gjata nëpër hyrjet e librarive.