
Prioritete kryesore do të duhej të ishin trajtimi i pandemisë, sigurimi i vaksinave dhe rimëkëmbja ekonomike
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka thënë se prioritet kryesor i Qeverisë do të duhet të ishte trajtimi i pandemisë, sigurimi i vaksinave dhe rimëkëmbja ekonomike.
“Natyrisht se nuk do të duhej të mungonte edhe adresimi i prioriteteve të tjera. Gjithashtu, politika e jashtme do të duhej të merrej shumë seriozisht”, ka thënë Hamza për “Epokën e re”.
“Fillimi i punës së kësaj qeveri është shumë i zbehtë. Nuk është premtues aspak. Në bazë të asaj që kemi parë deri më tani, po vërehen shumë vonesa dhe lëshime në drejtime të ndryshme. Gjithashtu, ajo që është vërejtur gjatë kësaj kohe ka qenë mosvendosja e drejtë e prioriteteve qeverisëse”, ka thënë Hamza.
Sa i përket furnizimit me vaksina, Hamza ka theksuar se nëse të gjitha vendet e Evropës dhe të rajonit kanë bërë më shumë dhe kanë siguruar vaksinat, dikush më shumë e dikush më pak, sigurisht se kjo qeveri ka mundur të bëjë më tepër.
“Mjetet i ka në buxhet për ta bërë një gjë të tillë. Në bazë të këtyre fakteve po del se faktori njeri është problemi. Kur vendet e rajonit kanë mundur të bëjnë kontrata me kompani të ndryshme për sigurim të vaksinave, këtë gjë ka mundur ta bëjë edhe Kosova. Deri më tani ne kemi pranuar një kontingjent shumë simbolik të vaksinave dhe ai është donacion i COVAX-it”, ka deklaruar Hamza.
Hamza ka folur edhe për qasjen që PDK-ja do ta ketë ndaj dialogut Kosovë-Serbi.
Ai ka thënë se për këtë proces kjo parti kontributin e saj do ta japë në Kuvendin e Kosovës. “PDK-ja do ta japë kontributin e saj në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Ne nuk kemi kurrfarë oferte konkrete në këtë drejtim, por në këtë situatë ne jemi parti opozitare dhe kontributin tonë do ta japim në Kuvendin e Kosovës. Pra, aty do ta mbrojmë interesin e Kosovës”, ka thënë Hamza.