“Prishtina 2030”, rast ideal që Kosova të përfitojë edhe ekonomikisht – thotë gazetari italian
Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030” konsiderohen një nga ngjarjet më të mëdha sportive që pritet të organizohen ndonjëherë në Kosovë. Përveç aspektit sportiv, ato shihen edhe si një mundësi e rëndësishme për zhvillim ekonomik, përmirësim të infrastrukturës dhe rritje të vizibilitetit ndërkombëtar të vendit. Gazetari italian Fabio Donfrancesco, në një intervistë për KosovaPress, vlerëson se organizimi i këtyre lojërave mund të shërbejë si një moment i rëndësishëm për promovimin e Kosovës në Evropë dhe më gjerë.
Fillimisht, ai flet për potencialin që kjo ngjarje ka për zhvillimin ekonomik dhe turistik të Kosovës. Sipas tij, për një vend të vogël që po zhvillohet me shpejtësi në disa sektorë, organizimi i Lojërave Mesdhetare përbën një mundësi të madhe për rritjen ekonomike dhe për tërheqjen e turistëve ndërkombëtarë. Ai thekson se Kosova është një vend i bukur që mund të tërheqë vizitorë nga Italia dhe nga shumë vende të tjera evropiane, ndërsa një ngjarje e tillë sportive mund ta bëjë vendin edhe më të njohur në arenën ndërkombëtare.
“Për një vend të vogël, por në zhvillim të shpejtë rreth sektorëve ekonomikë dhe turistikë si Kosova, Lojërat Mesdhetare 2030 do të jenë një mundësi e rëndësishme, një mundësi shumë e madhe, e rëndësishme për zhvillimin ekonomik dhe natyrisht edhe turizmit. Unë e di që vendi juaj është një vend shumë i bukur edhe për italianët dhe jo vetëm por edhe për vendet tjera evropiane dhe për turistët është një mundësi e mirë për të njohur vendin tuaj. Kështu që mendoj se këto do të jenë momente shumë të mira, jo vetëm të sportit, por edhe për çështje ekonomike.”, thekson fillimisht Donfrancesco.
Më tej, Donfrancesco ndalet te sfidat që zakonisht shoqërojnë organizimin e ngjarjeve të mëdha sportive, veçanërisht në aspektin administrativ dhe burokratik. Ai përmend përvojën e Italisë me burokracinë dhe shpreh shpresën që Kosova të ketë procese më të thjeshta në këtë drejtim. Megjithatë, ai thekson se pavarësisht sfidave, Lojërat Mesdhetare përbëjnë një mundësi të rëndësishme për zhvillimin e vendit dhe për ta vendosur Kosovën në qendër të vëmendjes së rajonit evropian dhe mesdhetar.
“Në Itali ne kemi shumë probleme rreth burokracisë. Shpresoj që vendi juaj të jetë më i lehtë, por sidoqoftë, duke lënë mënjanë këtë, kjo është një mundësi për të zhvilluar vendin tuaj, natyrisht, dhe për të vendosur vendin tuaj në ekranin e zonave evropiane dhe të Mesdheut. Kështu që jam i sigurt që është një mundësi e mirë për vendin tuaj dhe për zhvillimin e ekonomisë suaj dhe rreth turizmit tuaj…Kështu që nuk është e lehtë, por dua të them është një shans i mirë për të bërë gjëra të mira në vendin tuaj”, vijoi më tutje Donfrancesco.
Në fund, gazetari italian ndalet te përfitimet më të gjera ekonomike që mund të sjellin këto lojëra, duke përmendur edhe përvojën e Italisë me organizimin e tyre në Taranto. Ai thekson se ngjarje të tilla nuk janë vetëm gara sportive, por edhe motor i zhvillimit të infrastrukturës dhe promovimit turistik. Donfrancesco përmend investimet e mëdha publike që janë bërë në Itali për përgatitjen e Lojërave Mesdhetare dhe vlerëson se edhe Kosova mund të përfitojë nga programe dhe fonde të Bashkimit Evropian për zhvillimin e projekteve infrastrukturore dhe ekonomike që lidhen me rajonin e Mesdheut.
“Lojërat Mesdhetare nga 21 gushti deri më 3 shtator në Itali në Taranto, janë një ngjarje ekonomike shumë e madhe për Italinë, veçanërisht për zhvillimin e Italisë së Jugut dhe rajonit të Pulias. Lojërat Mesdhetare nuk janë vetëm gara sportive, por gjithashtu janë motor i rizhvillimit infrastrukturor dhe një mundësi e promovimit turistik ndërkombëtar. Qeveria italiane ka alokuar 275 milionë euro investime publike për rizhvillimin e objekteve sportive në Taranto dhe në qytetet rrethuese. Në veçanti, 60 milionë për stadiumin Iacovone në Taranto dhe 36 milionë euro për stadiumin në Leçe. Nisma është pjesë e projektit të Ekonomisë Blu që është shumë i rëndësishëm edhe për vendin tuaj. Bashkimi Evropian ka alokuar 180 miliardë euro për këtë plan në vendet e Mesdheut. Pra, pritet që ngjarja sportive në Itali e Lojërave Mesdhetare do të gjenerojë rreth 55 miliardë euro në turizëm dhe mikpritje”, theksoi në fund ai.
Organizimi i Lojërave Mesdhetare 2030 shihet si një moment i rëndësishëm për Kosovën jo vetëm në aspektin sportiv, por edhe në atë zhvillimor. Përvoja e vendeve të tjera që kanë organizuar këtë ngjarje tregon se Lojërat Mesdhetare shpesh shërbejnë si katalizator për investime në infrastrukturë, rritje të turizmit dhe promovim më të madh ndërkombëtar. Në këtë kuadër, pritjet janë që Prishtina dhe qytetet tjera pritëse të përfitojnë nga projektet që do të realizohen në prag të këtij organizimi, duke e shndërruar ngjarjen në një mundësi për zhvillim afatgjatë të vendit.



