Prishtina bie në Llap, fitojnë Drenica e Ferizaj
Llapi i ka dhënë fund serisë pozitive të Prishtinës, pasi në xhiron e 11-t të Superligës ka ndalur hovin e ekipit nga kryeqyteti.
Të mërkurën, në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, Llapi ka fituar derbin e kësaj xhiroje me shifrat 2:1.
Një gol në pjesën e parë dhe një tjetër në të dytën nga Edon Sadriu, përkatësisht Alex Gnapi për Llapin ndalën serinë prej gjashtë fitoreve rresht të Prishtinës, ekip për të cilin realizoi Kryeziu.
Për Prishtinën, kjo është humbja e dytë këtë sezon, ndërsa e para që nga data 31 gusht kur në kuadër të xhiros së tretë pati pësuar nga Gjilani 3:1.
Përkundër humbjes, Prishtina mbetet në krye të tabelës me 25 pikë, 9 më shumë se Llapi që mbetet i pesti dhe regjistroi fitoren e katërt në pesë ndeshjet e fundit.
Fitore në shtëpi ka shënuar edhe Drenica për t’i dhënë fund serisë prej katër humbjeve rresht.
Skuadra nga Skenderaj triumfoi 3:1 ndaj kampiones në fuqi, Dritës që regjistroi humbjen e katërt këtë sezon.
Ndërkohë, Ferizaj ka fituar 3:0 ndaj Prishtinës së Re, ekip që nuk di për fitore prej xhiros së katërt dhe mbetet e fundit në tabelë me 7 pikë.



