Prishtina dhe Drita kërkojnë pikët e plota në ‘Fadil Vokrri’
Ndeshje e jashtëzakonshme do të zhvillohet sonte (e mërkurë) në stadiumin “Fadil Vokrri” në mes të Prishtinës dhe Dritës. Të dyja këto dy klube kanë paralajmëruar se do të luajnë për fitore, derisa edhe interesimi për ta përcjellë këtë ndeshje është i madh.
FC Prishtina është përgatitur maksimalisht për ta fituar derbin kundër Dritës që zhvillohet sonte (e mërkurë) nga ora 19:00. Fillimisht trajneri Ismet Munishi ka thënë se kryeqytetasit do të tregojnë se sa e madhe është Prishtina. “Të mërkurën do të tregojmë se sa e madhe është Prishtina, sepse ‘rrethet’ kanë filluar ta çojnë kokën si shumë. ‘Plisat’ do të bëjnë atmosferë siç i ka hije klubit më të madh shqiptar”, ka thënë Munishi.
Ndërsa sulmuesi Kreshnik Uka ka paralajmëruar se tri pikët do të mbesin në kryeqytet. “Jemi të vetëdijshëm se e kemi përballë një skuadër shumë cilësore e që mendoj se është një ndër ekipet më të kompletuara në Superligë andaj këtij takimi duhet t’i qasemi me kujdes maksimal. Brenda grupit atmosfera është shumë e mirë ndërmjet futbollistëve në krye me trajnerin Ismet Munishi, i cili gjithmonë na qëndron afër për çdo gjë. Gjithmonë kur luan në shtëpi është tjetër ndjenjë. Është vetëm ndeshja e dytë që e zhvillojmë në ‘Fadil Vokrri’ pasi kemi pasur orar të papërshtatshëm për ndeshjet si vendas dhe kemi qenë të penalizuar. Gjithsesi, Prishtina në çdo stadium që luan gjithmonë e ka objektiv fitoren dhe me ndihmën e ‘Plisave’ çdoherë shpresojmë se do t’ia arrijmë qëllimit. Do Zoti që t’i gëzojmë me fitore tifozët tanë. Edhe në këtë ndeshje premtoj maksimumin dhe kur jep gjithçka nga vetja atëherë edhe goli shpresoj se do të vijë”, ka thënë Uka.
Optimizëm për ndeshjen e radhës kanë shfaqur edhe në kampin e skuadrës gjilanase. Trajneri Ardian Nuhiu ka thënë se Prishtina ka skuadër të mirë, por motivi te futbollistët e tij është i madh për të shfaqur një ndeshje të madhe. “Kemi një ndeshje e cila gjithmonë sjell interesim të madh te tifozët dhe për këtë pres që stadiumi të jetë i mbushur. Kjo është një mundësi e artë për futbollistët tanë për t’i shprehur vlerat e tyre, por edhe për ta parë vlerën e kampionatit që vazhdimisht po rritet. Kundërshtari mendoj se ka futbollistë cilësorë, duke mos harruar që edhe skuadra jonë ka potencial. Motivi te skuadra është i lartë, djemtë mezi presin të dalin në fushë dhe të bëjnë një ndeshje të madhe”, ka thënë Nuhiu.
“‘Intelektualët’ nuk lënë asnjë ndeshje. Ata gjithmonë janë bashkë me ne dhe nuk e diskutoj se do të jenë në numër të madh edhe të mërkurën për të na mbështetur në maksimum. Besoj se po kënaqen me performancën e djemve, sepse po luajnë futboll cilësor dhe me shumë gola. Uroj që do ta bëjmë maksimumin për të marrë më të mirën”, ka thënë Nuhiu.
Ndërsa mesfushori Rron Broja ka deklaruar: “Atmosfera në këtë moment është jashtëzakonisht shumë e mirë mes lojtarëve dhe në klub, sepse sigurisht kur fiton edhe atmosfera bëhet më e mirë. Besoj se edhe në ndeshjet e ardhshme duhet të futemi me vetëbesim të madh, sepse kemi zhvilluar ndeshje mjaft të mira në këtë fillim të kampionatit. Kjo duhet të na motivojë në ndeshjet që do të vijnë. Kjo duhet të na ndihmojë që ndeshjet e ardhshme t’i marrim me qetësi dhe ta arrijmë maksimumin”.
Kjo ndeshje është e javës së tretë në Superligë, derisa Drita është në krye të tabelës me 17 pikë, derisa në vendin e katërt 11 pikë.
Sot zhvillohet edhe ndeshja Malisheva – Ballkani
Skuadra kampione e Kosovës, Ballkani, do ta zhvillojë të mërkurën ndeshjen e shtyrë kundër Malishevës. “Portokallezinjtë” do të udhëtojnë në stadiumin “Liman Gegaj” në Malishevë për duelin e javës së parë e cila ishte shtyrë. “Ndeshja e mbetur në kuadër të xhiros së parë, FC Malisheva – Ballkani, zhvillohet në orën 13:00 në stadiumin ‘Liman Gegaj’ në Malishevë. Kjo ndeshje ishte shtyrë për shkak të ndeshjes sonë në kuadër të Ligës së Konferencës”, thuhet në njoftimin e Ballkanit.
/Veton ZYMBERI/



