
PRISHTINA DHE USHTRITË E HUAJA
Vjeshtë e vitit 1689. Një ushtri europiane, nën komandën e Gjeneral Pikolominit depërton në Kosovë dhe e merr Prishtinën. Për tre muaj ajo frymon si një qytet europian.Një ëndërr e bukur që zgjatë fare pak. Murtaja shkatërron ushtrinë çlirimtare dhe shqiptari i madh, që e projektoi këtë ëndërr, Pjetër Bogdani, bie vetë viktimë e murtajës. Ushtritë osmane, të përforcuara me njësi terroriste tartare të Krimesë, e kthejnë përmbys gjithçka. Në dy shekujt pasues Prishtina zhduket nga historia. Fizionomia e saj: një katund i madh, i varfër, i heshtur dhe i harruar nga të gjithë.
Vjeshtë e vitit 1912. Një ushtri serbe, pa rezistencë të madhe, futet në Prishtinë. Qyteti përjeton natën e tij të Shën Bartolomeut. Një kronikan i kohës shkruan: Në Prishtinë njerëzit vriteshin si lepujt.
Fiks tre vite më pas një ushtri e madhe austro-hungareze i dëbon serbët dhe e çliron Prishtinën. Qyteti merr frymë i lirë. Për tre vite me radhë.
Vjeshtë e vitit 1918. Fati i qytetit përmbyset edhe një herë, për keq. Ushtria serbe rikthehet. Bashkë me të edhe terrori, i cili normalizohet. Për plot 23 vjet rrjesht.
Prill, 1941. Një ushtri italiane futet në Prishtinë. Shqiptarët e terrorizuar me dekada, e presin si çlirimtare. Përsëriten tri vitet e lirisë austro-hungareze. Prishtina jeton Rilindjen Kombëtare. Fëmijët e saj për herë të parë mbajnë në duar abetare në gjuhën shqipe.
Vjeshtë, 1944. Brigadat partizane jugosllave futen në Prishtinë. Bashkë me to një formë e re terrori: terrori i kuq. Qindra njerëz, pasi pushkatohen pa gjyq, zhduken në varret masive në lindje të qytetit.
Qershor, 1999. Trupat britanike të NATO’s nga jugu dhe njësitë e UÇK-së nga veriu, e çlirojnë Prishtinën nga serbët. Ajo kthehet në kryeqytetin e shtetit më të ri në Europë.
Mjafton kjo kronologji e vajtje-ardhjeve të ushtrive në Prishtinë për të kuptuar se me cilat erdhi liria e saj e me cilat shtypja e robnia e saj.
Historia është paparashikueshme në tërësinë e saj, por disa gjëra mund të shquhen në horizontin e afërm të se ardhmes: Liria e këtij qyteti do të varet nga besnikëria e tij ndaj të vërtetave të kësaj kronologjie ushtarake.

