Prishtina feston 1 Qershorin, Rama: Fëmijët janë thesari më i madh i shoqërisë

01 qershor 2025 | 12:14

Sot në kryeqytet u shënua Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve, ku qindra fëmijë u mblodhën në rrugë dhe sheshe për të festuar ditën e tyre, raporton Ekonomia Online.

Atmosfera u gjallërua nga balonat shumëngjyrëshe, lojërat dhe aktivitetet sportive si boksi dhe volejbolli. Një pjesë e fëmijëve u veshën edhe me uniformat e Policisë së Kosovës, duke u bërë pjesë e aktiviteteve të organizuara.

Por festa nuk filloi pa ardhjen e të parit të Prishtinës, Përparim Rama.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, në fjalimin e tij për Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, tha se qyteti sot merr frymë ndryshe falë pranisë së fëmijëve. Ai theksoi se 1 Qershori është dita e tyre, duke i quajtur thesari më i madh i shoqërisë.

“Sot sheshi paska marrë frymë tjetër. Edhe ajri po duket ma i lehtë, ma i freskët, e krejt qyteti po rreh me zemrën tuaj, veç pse jeni ju këtu. 1 Qershori është dita juaj. Është dita kur krejt Prishtina e ndal hapin e vet për me ju dëgju juve, me ju pa, me ju falë ndonjë buzëqeshje e me kujtu se jeni thesari më i madh që kemi. Edhe, a dini ka? Në qytetin tonë ju nuk jeni veç më të dashurit – po jeni edhe më të nevojshmit. Pa ju, nuk ka dritë. Pa ju, nuk ka ide të reja.

Pa ju, nuk ka këngë që gjallëron shpirtin. Ju jeni ata që na mësoni me pa botën me sy të pastër, me e ndje me zemër të çiltër, me e dashtë pa kushte.

Sot kemi gjithë ato aktivitete: kënde lojërash, kënde librash, kënde ëndrrash. Robotë që lëvizin, faqe që lexohen, fytyra që pikturohen, këngë që këndohen. Por ajo që është më e bukura prej të gjithave jeni ju, secili e secila prej jush, me emrin, me buzëqeshjen tuaj. Më pëlqen me mendu se nesër, dikush prej jush ndoshta ka me u ba mjek, dikush tjetër muzikant, dikush sportist, dikush arkitekt, dikush shkrimtar e ndoshta, dikush prej jush ka me qenë kryetar a kryetare e Prishtinës sonë. E unë besoj edhe që secili prej jush ka me i dhanë diçka të mirë kësaj bote. Deri atëherë rrituni me dashni, me lojë, me dituri. Shkruani ëndrrat tuaja, vizatojini, këndojini. Ne do të jemi gjithmonë këtu për ju – me ju dëgju, me ju përkrahë, me ju dhanë hapësirë për me shkëlqy,” ka thënë Rama.

Kjo ditë simbolizon dashurinë, kujdesin dhe të drejtat që u takojnë fëmijëve si pjesa më e çmuar e shoqërisë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Rusinë perëndimore, jo shumë larg kufirit ukrainas, një tren…