
Prishtina fiton bindshëm në Ferizaj dhe mban kreun, Llapi realizon fitoren e parë
Java e shtatë e AlbiMall Superligës së Kosovës solli ndeshje mjaft interesante, me fitore bindëse, përmbysje dramatike dhe ndryshime në renditje. Liderja e kampionatit, Prishtina, ka regjistruar fitoren e tretë radhazi dhe të pestën këtë sezon, duke mposhtur Ferizajn, me rezultat të thellë 5:0 në ndeshjen e zhvilluar në fushën me bar sintetik në Ferizaj. Ardian Muja (29’), Mario Ilievski (41’) dhe Dren Zeqiri (45+11’) i dhanë epërsinë 3:0 bardhekaltërve në pjesën e parë. Në vazhdim, Blend Baftiu (68’) dhe Rin Ahmeti (81’) vulosën fitoren e thellë të bardhekaltërve të kryeqytetit. Pas kësaj fitoreje, Prishtina mban vendin e parë me 16 pikë, një më shumë se Ballkani, derisa Ferizaj mbetet në pozitën e fundit me 6 pikë.
Kampionia në fuqi Drita mposhti Dukagjinin me rezultat 3:1. Klinasit shënuan të parët me Dienit Isufin (20’), por reagimi i shpejtë i gjilanasve solli barazimin me golin e Liridon Balajt (23’).
Në pjesën e dytë, Arb Manaj (54’) dhe Salifu Ibrahim (86’) siguruan fitoren e dytë të Dritës këtë edicion. Pas kësaj ndeshjeje, Drita renditet e gjashta me 8 pikë, ndërsa Dukagjini zbret në pozitën e tretë me 13 pikë.
Ndërkaq, Ballkani vazhdoi serinë pozitive, duke shënuar fitore 3:0 kundër Prishtinës së Re në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan.
Arbër Potoku (34’) hapi serinë e golave, ndërsa Almir Kryeziu (54’, 65’) kompletoi fitoren me dy gola.
Ballkani ngjitet në vendin e dytë me 15 pikë, ndërsa Prishtina e Re mbetet në pozitën e parafundit me 6 pikë. Skuadra e Llapit arriti fitoren e parë këtë sezon duke triumfuar 4:1 ndaj Gjilanit në stadiumin “Zahir Pajaziti”.
Axel Gnapi realizoi dy gola (3’, 49’), ndërsa Lulzim Peci (20’) dhe Arbnor Ramadani (45+1’) shënuan golat tjerë për Llapin. Për Gjilanin shënoi vetëm Almir Aganspahiq (58’).
Llapi ngjitet në vendin e tetë me 6 pikë, një më shumë se Gjilani që mbetet i shtati me 7 pikë.
Në ndeshjen më dramatike të javës, Malisheva përmbysi Drenicën dhe fitoi 4:3 në “Bajram Aliu”.
Drenica udhëhoqi 2:0 me golat e Chacon (4’) dhe Ukës (13’), ndërsa Altin Aliu ngushtoi diferencën (45’).
Pas golit të dytë të Ukës (58’) për 3:1 për Drenicën, mysafirët reaguan fuqishëm me Brrutin (72’) dhe Feratin (75’), ndërsa në minutën e 92-të, Da Silva shënoi autogol që i dha Malishevës fitoren dramatike.
Pas kësaj ndeshjeje, Drenica mbetet me 11 pikë në vendin e katërt, ndërsa Malisheva ngjitet në vendin e pestë me 10 pikë.