
Prishtina fiton në Malishevë dhe merr kryesimin e AlbiMall Superligës
AlbiMall Superliga e Kosovës në futboll ka mbyllur xhiron e pestë me ndeshje mjaft interesante.
Prishtina ka marrë një fitore dramatike në udhëtim ndaj Malishevës në stadiumin “Liman Gegaj”, me rezultat 3:1. Golin e parë e realizoi Ardian Muja në minutën e 20-të, ndërsa Malisheva barazoi në minutën e 80-të me Samuel Opeh, pavarësisht se luante me një lojtar më pak. Por në minutat shtesë, prishtinasit siguruan fitoren falë golave të Ardian Limanit (90’) dhe Valmir Veliut (94’). Me këtë triumf, Prishtina merr kryesimin e tabelës me 10 pikë.
Në Skenderaj, Drenica dhe Dukagjini u ndanë baras 1:1. Igball Jashari shënoi një supergol për Drenicën në minutën e 66-të, por Albion Pllana iu përgjigj me një tjetër gol spektakolar në minutën e 90-të, duke i dhuruar një pikë skuadrës së Ismet Munishit. Dukagjini zbret në vendin e dytë me 10 pikë, aq sa ka edhe Prishtina.
Gjilani është kthyer te fitorja pas humbjes në xhiron e kaluar, duke e mposhtur Ferizajn si mysafir 1:0. Golin e vetëm e realizoi Robert Rrahmani në minutën e 83-të. Ferizaj luajti me një lojtar më pak pas përjashtimit të Ardit Topalajt dhe regjistroi disfatën e tretë radhazi.
Në kryendeshjen e javës, Llapi dhe Ballkani barazuan 2:2 në stadiumin “Zahir Pajaziti”. Ballkani shënoi dy herë me Valentin Sereben (20’ dhe 48’), ndërsa për Llapin realizuan Arbnor Ramadani (45’, pen.) dhe Hasan Hyseni (84’). Llapi mbetet pa fitore në pesë xhirot e para, ndërsa Ballkani është i vetmi ekip pa humbje deri tani në kampionat.
Ndërkohë, kampionia në fuqi Drita regjistroi fitoren e parë këtë edicion, duke mposhtur Prishtinën e Re, me rezultat 2:1. Golat për gjilanasit i shënuan Veton Tusha (28’) dhe Arb Manaj (63’), ndërsa për mysafirët Friday Eze realizoi golin e ngushëllimit në minutën e 82-të.