Prishtina me kamera trafiku, nga vjeshta

24 korrik 2018 | 12:18

Nga vjeshta do të vihen në funksion kamera të trafikut për të dhënë dënime automatike. Kështu ka bërë me dije kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”.

“Në vjeshtë, Komuna e Prishtinës do të fillojë me kamerat e trafikut dhe dënimet automatike. Dënimet do t’i mbledhim me përmbarues dhe jemi përkrahës edhe të politikës që të mos lejohet regjistrimi i veturës me dënime të papaguara nga viti i kaluar”, ka shkruar Ahmeti.

Postimi i plotë i Ahmetit:

Numri i aksidenteve në Kosovë qe një kohë është bërë shqetësues. Shpejtësia e pakontrolluar dhe mospërshtatja ndaj kushteve atmosferike janë shkaqet kryesore që shkruhen në raportet e aksidenteve.

Por, duhet të flasim edhe për politikat publike në Kosovë në lidhje me sigurinë në trafik në vitet e fundit. Ka korelacion të ngushtë në mes të dënimeve në trafik dhe numrit të aksidenteve. Por jo vetëm të shkrimit të dënimeve por pagesave të dënimeve.

Mund t’i shikoni numrin e aksidenteve në kohën kur në zbatim ishte politika e marrjes së patentshoferit deri në pagesë, dhe pas largimit të kësaj politike. Me një vendim të ministrit të Punëve të Brendshme Skender Hyseni, për shkak se vlerësohej se ishte kundër të drejtave të njeriut, u hoq marrja e patentshoferit dhe vetëm shkruhej dënimi. Vetëm në Prishtinë, para vendimit dënimet paguheshin mbi 70 për qind në javën e pare pas dënimit, pas vendimit, pagesa në javën e parë ra nën 5 për qind. Numri i aksidenteve u shtua menjëherë në mënyrë drastike.

Siç e shihni as ligji i ri me rritjen e dënimeve nuk e ka efektin e duhur sepse ndryshimi ndodhë te pagesa. Rrallë ka polic që shkruan dënim 900 euro për shpejtësi, thjeshtë është shumë vështirë ta dënosh në Kosovë dikë me 900 euro.

Ne kemi marrë letër edhe nga Avokati i Popullit se dokumentet nuk mund të merren si peng për pagesë të dënimeve, por në qoftë se nuk gjendet mënyrë e pagesës së shpejtë të dënimeve, shpejtësia dhe shkeljet në trafik do të jenë edhe më të shpeshta.

Në vjeshtë, Komuna e Prishtinës do të fillojë me kamerat e trafikut dhe dënimet automatike. Dënimet do t’i mbledhim me përmbarues dhe jemi përkrahës edhe të politikës që të mos lejohet regjistrimi i veturës me dënime të papaguara nga viti i kaluar.

Jeta e njeriut është prioriteti kryesor!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se…