Prishtina ndalet nga Prishtina e Re, fitojnë Ferizaj dhe Drenica

14 mars 2026 | 15:34

Kanë përfunduar tri ndeshjet e para të javës së 24-në në elitën e futbollit kosovar. Prishtina është ndalur me barazim 1-1 ndaj Prishtinës se Re, në sfidën e luajtur në ‘Fadil Vokrri’.

Skuadra e drejtuar nga Afrim Tovërlani vazhdon serinë negative, duke regjistruar ndeshjen e katërt radhazi pa fitore – dy barazime dhe dy humbje – çka e ka penguar ekipin të afrohet me kreun e tabelës.

Pjesa e parë ishte relativisht e baraspeshuar, por vendasit arritën të konkretizojnë një nga rastet e tyre. Në minutën e 37-të, Mario Ilievski realizoi një gol të bukur për epërsinë 1-0, pas asistimit të Blendi Baftiu.

Megjithatë, në pjesën e dytë mysafirët u shfaqën më kërkues dhe më këmbëngulës në sulm. Përpjekjet e tyre u shpërblyen në minutën e 73-të, kur Astrit Berisha shënoi me kokë pas një aksioni të mirë, duke barazuar shifrat në 1-1.

Deri në fund të ndeshjes nuk pati ndryshim rezultati dhe skuadrat u ndanë me nga një pikë.

Pas këtij barazimi, Prishtina mbetet në vendin e tretë me 38 pikë, ndërsa Prishtina e Re vazhdon të mbetet në fund të tabelës me 23 pikë.

Ferizaj triumfon në Malishevë, merr tri pikë të arta

FC Ferizaj ka shënuar fitore të rëndësishme në udhëtim ndaj FC Malisheva me rezultat 2-1.

Skuadra e drejtuar nga Nevil Dede arriti një sukses shumë të vlefshëm në garën për t’iu shmangur zonës së rrezikut, duke dëshmuar se nuk dorëzohet në luftën për mbijetesë.

Ndeshja nisi me ritëm të mirë nga të dyja skuadrat. Vendasit kaluan të parët në epërsi në minutën e 12-të, kur Mevlan Zeka realizoi për 1-0. Megjithatë, mysafirët reaguan para përfundimit të pjesës së parë dhe barazuan shifrat në minutën e 35-të me anë të Ade Oguns, i cili u tregua i saktë nga pika e bardhë për 1-1.

Në fraksionin e dytë të lojës, të dy ekipet krijuan disa mundësi shënimi, por goli i vetëm erdhi në momentet e fundit të takimit. Në minutat shtesë, Ruben Silva-Richards shënoi golin vendimtar për 2-1, duke siguruar tri pikë shumë të rëndësishme për ferizajasit.

Pas kësaj fitoreje, Ferizaj ngjitet në vendin e tetë me 26 pikë, po aq sa ka edhe KF Llapi në pozitën e shtatë, ndërsa Malisheva mbetet në vendin e katërt me 37 pikë.

Drenica mund Gjilanin

Tri pikë të arta këtë xhiro i ka arkëtuar edhe Drenica e cila në udhëtim mundi Gjilanin, me rezultat 1-0.

Drenicasit që më të gjitha forcat po ‘luftojnë’ për t’i ikur fundit të tabelës, ia dolën të marrin fitore të madhe në Gjilan.

Kjo fitore e ngrit Drenicën në vendin e parafundit me 25 pikë, kurse Gjilani zë vendin e pestë me 36 sosh.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, ka reaguar pasi kryeministri Albin…