
Prishtinës i duhet një mrekulli e madhe për të eliminuar Sheriff Tiraspolin
FC Prishtina sonte në stadiumin “Fadil Vokrri” e pret ekipin moldav të Sheriff Tiraspolit, në ndeshjen e kthimit të raundit të parë të Ligës së Evropës.
Skuadra kryeqytetase vjen në këtë përballje pas një disfate të rëndë 4-0 në ndeshjen e parë të zhvilluar në udhëtim.
Për të përmbysur këtë rezultat dhe për të kaluar tutje, bardhekaltrit do të duhet të bëjnë një ndeshje pothuajse perfekte.
Trajneri Arsim Thaqi dhe ekipi i tij janë të vetëdijshëm për vështirësinë e misionit, por pritet të hyjnë në fushë me motivim të lartë.
Takimi zhvillohet sonte me fillim nga ora 20:00 në kryeqytet, ku pritet një atmosferë e zjarrtë nga tifozët e Prishtinës, ‘Plisat’. Edhe nëse nuk arrin përmbysjen, rrugëtimi evropian i Prishtinës nuk përfundon këtu.
Në rast eliminimi, skuadra do të vazhdojë garën në raundin e dytë të Ligës së Konferencës.