Pritjet dhe ëndrrat e partive për 12 tetor!

09 tetor 2025 | 16:31

Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA

Ngricë rreth kutive të votimit: Interesimi i qytetarëve për të votuar në zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025 është jashtë pritjeve dhe parashikimeve. Sigurisht se sabotimi i pozitës në nivel qendror për formimin e institucioneve si dhe gjumi i thellë i opozitës kanë ndikuar që atmosfera para zgjedhjeve të ngjajë më shumë të një vizite për kryeshëndosh se përmbushje e detyrimit qytetar dhe ligjor për të votuar. Fushatat ishin monotone, pa gjallëri sepse po përtypen gjërat dhe premtimet që, as nuk janë realizuar e as që mund të realizohen. Po të mos ishte dyshi Mehmetaj – Lladrovci do ia krisnim gjumit këto netë të ftohta dhe të mërzitshme. Do ta veçoja fushatën e Besa Shahinit dhe Natyra Kuçit, Arian Tahirit, Përparim Ramës dhe Uran Ismailit. Madje Urani, gjatë kësaj fushate, çdo të hëne e shpërndante një “gazetë” 4-faqëshe ku ishte oferta e tij dhe e PDK-së për qytetarët e kryeqytetit. Shukri Buja ishe shumë aktiv gjatë fushatës. Shaqir Totaj u zgjua nga kllapia e vapës së verës të tejngrohtë. Debatet televizive nuk i dëgjoj fare, konsideroj se është humbje kohe; ose shikoj ndonjë dokumentar, ndonjë ndeshje futbolli ose lexoj diçka. E përcolla pjesërisht debatin e kandidatëve për Prishtinën. Hajnrullah Çeko nuk erdhi në Klan Kosova të “oligarkëve” shkaku i patriotizmit folklorik. Hajnrullahu është patriot për aq sa unë jam daja i Xhingis Kanit. Përrpa ishte mësuar ta dredhë e përdredhë fjalorin, nuk ishte ai i para katër vjetëve. Kishte më shumë siguri dhe me një arrogancë të menaxhuar mirë dominonte mbi butësinë argumentuese të Uranit dhe Besës. Përrpa po luan, tutti per tutti, të gjitha në një kartë dhe, kam bindjen se ia del edhe për një mandat. Hajnrullahu i iku debatit kurse përkrahjen më rrënuese ia dha një fake profesor, llaskuc qeveritar,  “prof.”. dr. Ramçe. Qartë po duket se Hajnrullahu nuk po ka interesim të madh ta fitojë Prishtinën, nuk i përshtatet oksigjeni i kryeqytetit. Po as partia nuk është se i ka dhënë ndonjë të shtyme të fortë. Partia që në start e dëmtoi me sloganin zgjedhor: “Hajn ( r ) Prishtinës”. Alumni nderi i ardhshëm i Universitetit të Prishtinës, Mefail Bajçinovci do të kalonte më mirë, votuesit e LVV-së e kanë atë nivel. Urani ishte si Marathomaku, kurrë nuk u ndalë! Ta shohim çfarë lajmi do e dërgojë në parti, ra Sparta apo fitoi Sparta?!

Pritjet e partive: Pritjet i rrisin tej kaçikut votues që e kanë. Është normale të jesh optimist, për rrethana tona është jonormale të jesh realist!

LVV-ja po deklaron se fiton shumicën e komunave. Nëse e aktivizojnë linjën Kusari – Radoiçiq, i kalojnë 10 komuna. PDK-ja e ka numrin magjik 10 komuna kurse LDK-ja konsideron 10 deri në 12 komuna. AAK-ja kënaqet me 5 komuna, kurse NISMA me kryeqytetin politik të saj – Malishevën. LS-ja pretendon 10 komuna e që ka gjasa edhe t’i fitojë. Sa komuna i ka vërtetë Kosova, po më dalin si shumë?!

Ta mbajmë njëfarë rendi logjik dhe ashtu si mendoj se do të jenë rezultatet.

  1. LVV-ja – mund të llogarisë vetëm në ato komuna që i fiton pa balotazh, në komunat ku do të ketë balotazh ka gjasa të mëdha të mos e fitojë asnjë.
  2. PDK-ja i ka kërcyer vetes në bark në Kaçanik dhe Drenas, në Dukagjin e ka humbur tokën elektorale kurse në Anamoravë ka dalë nga koma elektorale, vetëm sa për mbijetesë. Aktualisht vota më e fuqishme e PDK-së është rikthimi i respektit dhe dashurisë për UÇK-në. Më shumë vota iu sjellë Gjykata Speciale Raciste se puna që e kanë bërë me votues.
  3. LDK-ja, krahasuar me zgjedhjet e fundit besoj se mund të ketë rritje për dy komuna.

Fituesit e projektuar të komunave me shumicë shqiptare: Prishtina: Fitues shumë i mundshëm është Përparim Rama. Nëse shkon në balotazh me Uranin, do të djersitet kurse me Çekon e ka më lehtë.

Në Mitrovicë do të fitojë, besoj shumë Arianit Tahiri. Pas balotazhit.

Në Ferizaj fitues absolut është Agim Aliu. Besoj, pa balotazh.

Në Pejë fiton Gazmend Muhaxheri, pas balotazhit.

Në Prizren, nëse e ka përkrahjen e pakicave, fiton Shaqir Totaj.

Në Gjakovë fitues është Ardian Gjini. Mund të ketë balotazh.

Nëse LV-ja nuk e fiton Gjilanin pa balotazh, në balotazh e humbë. Përcaktues për fituesin në balotazh do të jetë PDK-ja. Sokol Haliti, për një hap, pas balotazhit e fiton mandatin, besoj të fundit. Në Kamenicë do të ketë garë interesante, Qëndron Kastrati është sfidues serioz. Me përkrahjen e partive tjera mund edhe të rikthehet në krye të komunës. Në Han të Elezit PDK-ja fiton, mbase pa balotazh. Kaçaniku është problem më vete, PDK-ja i mprehë dhëmbët për fitore. A do t’i mpihen nga rrushi i thartë? Situatë me shumë të panjohura. Shtimja, për shkaqe objektive dhe subjektive është shpallur kryeqytet i LVV-së. Besoj ashtu do të mbetet. Në Lipjan i japë përparësi Imri Ahmetit, para Shukri Bujës. Në Obiliq besoj se fiton, pa problem, Xhafer Gashi. Edhe në Fushë-Kosovë përparësi ka LDK-ja, me Besnik Osmanin. Në Vushtrri kemi një situatë thuaja 50 për qind me 50 për qind. Dita e fundit e bënë diferencën midis PDK-së dhe LDK-së. Istogun e fiton LDK-ja, pa balotazh. Besoj se Klinën e fiton AAK-ja. Edhe në Rahovec fiton Smajl Latifi i AAK-së sikur edhe në Deçan. Junikun e fiton LDK-ja, besoj edhe Dragashin. Në Skenderaj, pa balotazh fiton PDK-ja. Në Drenas e kemi një personalitet karizmatik, Ramiz Lladrovci, thuaja pa parti dhe një person jokarizmatik, Petrit Hajdari, me parti të fuqishme. Balotazhi çon ujë në mullirin votues të Petrit Hajdarit. Lufta e Ramiz Lladrovcit është si lufta e Davidit me Goliatin. Sipas mitologjisë Davidi e mund Goliatin duket se realiteti do të rrëzojë mitet.

Në Suharekë do të shkojnë rrumas AAK-ja dhe LDK-ja. E padefinuar deri në votat e fundit. Podujevën e lashë për fund sepse për LDK-në ka peshën e betejës së Stalingradit që përcaktoi fatin e luftës së dytë botërore. Shpejtim Bulliqi i LVV-së mendon se me këpucë të mandatit të kaluar, pa i dathë fare e siguron edhe një mandat. Nëse shkon në balotazh e pati puna e tij, LDK-ja e fiton mandatin.  LVV- ja, më shumë do të varet nga marrëveshjet midis partive tjera pas balotazhit, se nga votat e votuesve të LVV-së.

Rezultati i zgjedhjeve lokale do të përcaktojë edhe qeverinë e ardhshme. Mund edhe mos të ketë fare zgjedhje të reja parlamentare.

Mirëpo, edhe pesë ditë deri të dielën mund të provokojë ndryshime të paparashikueshme.

Kush e çliroi Kosovën: Pata menduar se krahu politik i UÇK-së ishte Bacë Adem Demaçi kurse krahu ushtarak ishte Komandanti Legjendar Adem Jashari. Në podkastin Pordhë dhe Pikë të projugosllavit legjendar Veton Surroi, mysafir ishte i “ikuri” nga Alkatrazi i Prishtinës, Xhafer Shatri. Nuk e dije se cili lavdërohej ose, më mirë me thënë, trillonte më shumë. A shkonin në ushtrime përgatitore për luftë në Shqipëri, a e përcaktonin politikën e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, me rëndësi pa ta nuk zhvillohej asnjë proces apo zhvillim global, politik dhe ushtarak. Kur i dëgjoje këta mysketjerë të rraskapitur nga angazhimi i madh, atëherë me të drejtë shtrohet pyetja, pse qenka dashur që Baca Adem Demaçi të vuajë 30 vite burgje dhe Komandanti Legjendar Adem Jashari të sakrifikohet kur paskan qenë aq të angazhuar ujdisti Veton Surroi dhe marksistleninisti, Xhafer Shatri?! Pasi e bëri një pakt politik me Surroin, Shatrit i duhen edhe dy bashkëmendimtarë që ta kompletojë trojkën ushtarake. Moti i ka zgjedhur, Mehmet Locin dhe Nazim Bllacën.

Liverpuli dhe Barcelona: Barcelona thuaja është bërë krejt si Liverpuli, 90 për qind. Për t’u bërë krejt Liverpul i duhet edhe një humbje, tre humbje radhazi! Si ngushëllim, Luverpuli i ka shpenzuar 550 milionë euro për blerje të lojtarëve kurse Barcelona e ka marrë Rashfordin veresi, deri në verë!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendëskryeministrja dhe ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe…