Privimi i Arkivit të Kosovës nga e drejta për administrimin e dokumentacionit të Dhomave të Specializuara

12 dhjetor 2022 | 14:36

MA Ruzhdi Panxha 

Arkivat, si kudo në botë, edhe te ne janë institucione shtetërore ose joshtetërore të specializuara që mbledhin, përpunojnë, administrojnë dhe ruajnë dhe ofrojnë për shërbim pasurinë arkivore e cila mbrohet dhe sigu­rohet nga shteti si vlerë e përgjithshme shtetërore, kombëtare e krijuar me punën dhe veprimtarinë institucionale, private si nga personat fizikë apo juridikë. Po ashtu, detyrim ligjor[1] dhe profesional për pasurinë arkivore kanë edhe fondkrijuesit[2] dhe fondposeduesit[3] të cilët janë të obliguar të përkujdesën për dokumentin që nga çasti i krijimit të tij dhe atë jo dosido, por duke iu përmbajtur dhe zbatuar procedurat tekniko-profesionale për regjistrimin/protokollimin, evidentimin e deri te përkujdesja teknike për ruajtjen dhe mbrojtjen e materialit arkivor si e mirë kulturore e paçmuar e rëndësishme për kujtesën historike të një populli e më gjerë.

Arkivat janë institucione të cilat ruajnë tërësinë e dokumenteve të trashë­guara nga kohët më të hershme deri në ditët tona. Misioni i arkivave është ruajtja e trashëgimisë kulturore e shkruar në materiale të buta dhe gjysmë të buta si vlerë kulturore e paçmueshme e krijuar nga individë të veçantë, subjekte private, institucione të administratës shtetërore qendrore e lokale, shoqata dhe fondacione kombëtare dhe ndërkombëtare, qeveritare dhe joqeveritare që zhvillojnë veprimtari administrative dhe çdo veprimtari tjetër me interes shoqëror.

Pra, funksioni themelor është grumbullimi, ruajtja, mbrojtja, përpunimi, digjitalizimi dhe dhënia për shfrytëzim e materialit arkivor si vlerë histo­rike, kulturore dhe shkencore për qytetaret apo të interesuarit e tjerë.

Në frymën e këtij misioni arkivor edhe Agjencia Shtetërore e Arkivave e Kosovës çdo ditë e më tepër po konsolidohet e po ngrehet në rolin që i jep legjislacioni vendor i hartuar mbi konventat, kartat, ligjet, standardet dhe praktikat ndërkombëtare të Këshillit Ndërkombëtar të Arkivave (KNA)[4] pranë UNESKOS me seli në Paris, pasi që nga viti 2005 jemi anëtar me të drejta të plota në kategorinë “A” pranë këtij mekanizmi arkivor ndërkom­bëtar.

Sikurse arkivat e tjera të botës, edhe arkivat e Kosovës janë të mandatuara për ta zhvilluar veprimtarinë e vet mbi bazën e legjislacionit tonë që është në fuqi, por dhe sipas standardeve ndërkombëtare të arkivistikës.[5]

Standardi ISO 15489 iu dedikohet të gjitha organizatave/institucioneve të cilat duhet të sigurojnë që dokumentet e tyre, fizike dhe elektronike, në mënyrë adekuate të mirëmbahen, të kenë qasje të lehtë dhe në mënyrë të drejtë të dokumentohen prej momentit të krijimit të tyre deri te momenti përfundimtar i tyre që mund të jetë njëra nga mundësitë përfundimtare, në qoftë se ka të bëjë për arkivim, skanim apo asgjësim.[6]

Ky standard është i përgjithshëm për menaxhimin e dokumenteve dhe i obligon të gjitha institucionet për respektimin e mjeteve tekniko-profesio­nale për çka edhe Republika e Kosovës duhet ta respektojë një dokument të tillë që mundëson rregullimin ligjor normativ në këtë lëmë. Pas pranimit në mekanizmat ndërkombëtarë, që u përmend më lart (KNA), kjo e obligon Kosovën, respektivisht Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, që të ecë me kohën, me dinamizëm më të shtuar për ta ngritur arkivin dhe arki­vistikën në një stad më të lartë tekniko-profesional për grumbullimin/ vjeljen, ruajtjen e mbrojtjen, rregullimin, përpunimin, digjitalizimin e deri te dhënia në shfrytëzim e materialit arkivor krahas me arkivat e tjera simotra.

Por, për habinë tonë, me Ligjin nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, ne privohemi nga e drejta e posedimit dhe dhënies për shfrytëzim të një pjese të materialit arkivor, të cilin do ta krijojnë Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, që janë institucione të Kosovës dhe, rrjedhimisht, dokumen­tacioni që prodhojnë ato duhet të jetë i Kosovës, i administruar nga Agjencia Shtetërore e Arkivave e Kosovës.

Kjo është një padrejtësi që iu ka bërë Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës/shtetit të Kosovës me Ligjin për Dhomat e Specializuara.[7] Në nenet 61[8] dhe 62[9] të Kaptinës IX të këtij ligji trajtohet menaxhimi i arkivave ku citoi neni 61, paragrafi 1: Pa paragjykim ndaj kushteve të mëpar­shme të përcaktuara nga ofruesit e informatave dhe dokumenteve, apo ndaj aranzhi­meve të bëra me ta, arkivat e Dhomave të Specializuara, Zyrës Administrative dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar janë pronë e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar, apo ndonjë Aranzhimi të Dakorduar, po qe se ekziston për këtë qëllim në përputhje me nenin 60 dhe mirëmbahen në një depo të caktuar jashtë Kosovës.

Siç vërehet, me këtë nen të këtij Ligji[10], i gjithë dokumentacioni i këtyre dhomave duhet të mbetet jashtë Kosovës, rrjedhimisht jashtë menaxhimit të Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, institucion i cili është i thirrur në bazë të Ligjit për Arkivat Shtetërore[11], i miratuar në shkurt të vitit 2012 nga Kuvendi i Kosovës, qe me nenin 2 përcaktohet fushëveprimi i këtij ligji: Për qëllim të këtij ligji institucionet publike që hyjnë në fushën e veprimit të këtij ligji përfshijnë: Qeverinë dhe administratën në nivelin qendror dhe lokal, institucionet ligjvënëse dhe gjyqësore, zyrën e presidencës, prokurorinë, perso­nat fizikë dhe juridikë, me kusht që të ushtrojnë autoritet administrativ, kryejnë detyra publike apo operojnë me fonde publike sipas ligjeve të Republikës së Kosovës (bartësit privatë të kompetencave publike); si dhe detyrimet e tyre ligjore për kriji­min, ruajtjen dhe shfrytëzimin e pasurisë arkivore. Pra, Agjencia Shtetërore e Arkivave e Kosovës është institucioni i vetëm kompetent për grumbulli­min, ruajtjen, mbrojtjen dhe dhënien në shfrytëzim të materialeve arkivore në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar janë insti­tucione të krijuara nga Kuvendi i Kosovës dhe me mandat brenda territorit të Kosovës, që në bazë të Ligjit nr. 04/L-088 për Arkiva Shtetërore e standardeve ndërkombëtare, ky material arkivor i krijuar nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, pas kalimit të afatit ligjor prej 30 vjetëve (paragrafi 2 i nenit 10 të Ligjit për Arkiva Shtetërore) duhet të dorëzohet në Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës e jo siç është përcaktuar me këtë ligj për Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Pro­kurorit të Specializuar, me nenin 61, të përjashtohet një mundësi e tillë që ky material arkivor në të ardhmen, pas përmbushjeve të afateve ligjore, të mos arkivohet në Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës si pjesë e të kaluarës sonë historike.

Duke përcjell paragrafët 2, 3 dhe 4 të nenit 61[12] të këtij Ligji, vërehet se ky Ligj për Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, nga lëmi i dokumentacionit dhe informacionit, nuk është i harmonizuar as me Ligjin për Klasifikimin e Informacionit dhe Verifikimin e Sigurisë.[13]

Me nenin 6 të Ligjit nr. 03/L-178 për Klasifikimin e Informacioneve dhe Verifikimin e Sigurisë përcaktohet niveli i sigurisë së informacionit ku përcaktohen katër (4) nivele të informacionit: 1. “Tepër sekret”[14] deri në 25 vjet pas datës së klasifikimit; 2. “Sekret”[15] deri në 15 vjet; 3. “Konfi­dencial”[16] deri në 5 vjet dhe 3. “E kufizuar”[17] deri 1 vit.

Ky klasifikim i informacionit në këtë ligj është i harmonizuar me ligjet e Bashkimit Evropian, që do të thotë se dokumentacioni i krijuar nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, edhe pse me çastin e krijimit të tij është i klasifikuar edhe me nivelin “Tepër sekret” afatet e klasifikimit janë vetëm 25 vjet, ndërsa Ligji për Arkiva thotë që në arkiv dorëzohet pas afatit prej 30[18] vjetëve kur është krijuar, që do të thotë se dokumentacioni i prodhuar nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Pro­kurorit të Specializuar do të mund të dorëzohej 5 vjet pas kalimit të afatit të ruajtjes së sigurisë nën klasifikimin “Tepër sekret”. Por, në këtë rast, edhe pas pesë vjetëve të deklasifikimit ai nuk dorëzohet në Arkivin tonë.

Praktikë krejt ndryshe me Ligjin Dhomat e Specializuara[19], paraqitet rasti me përfundimin e misionit të Zyrës Civile Ndërkombëtare për Mbi­këqyrjen e Pavarësisë së Kosovës, mekanizëm i Bashkimit Evropian me rastin e mbylljes në vitin 2013, tërë dokumentacionin e saj e dorëzon në Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, me arsyetimin se kjo Zyrë Civile Ndërkombëtare, edhe pse mekanizëm i Bashkimit Evropian, veprim­tarinë e ka zhvilluar në Kosovë dhe për shtetin e Kosovës ka vlerësuar, me të drejtë, se ky dokumentacion duhet të mbet në Kosovë dhe për Koso­vën.[20]

Ky është një shqetësim për Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, sepse në këtë mënyrë huajsohet, për të mos thënë zhduket fare, një sasi e konsiderueshme e pasurisë sonë arkivore. Prandaj, ne bëjmë thirrje të rishi­kohen nenet 60, 61 dhe 62[21] të Ligjit nr. 05/L-053 për Dhomat e Specia­lizuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, sepse pikërisht këto nene përcaktojnë fatin e dokumentacionit që prodhojnë këto institucione të Republikës së Kosovës, paçka se janë me prokurorë e gjykatës të huaj dhe për seli kanë një qytet jashtë Kosovës – Hagën. Harmonizimi i këtyre neneve me legjislacionin tjetër që rregullon problematikën e dokumentacionit është detyrim ligjor dhe, në të njëjtën kohë, kthim i besimit në institucionin për­gjegjës për ruajtjen e dokumentacionit arkivor që është AShAK. Mbase për afatin e kthimit mund të diskutohet për të gjetur ndonjë zgjidhje më të përshtatshme por, që duhet të kthehet gjithsesi, këtë nuk e vë në dyshim.

Një kërkesë të tillë nuk e bëj për teke apo qëllim të caktuar por, thjesht dhe për të vetmen arsye, sepse jam që një kohë të gjatë punëtor i arkivit dhe e ndiej veten përgjegjës për fatin e çdo dokumenti që prodhohet nga institucionet e Republikës së Kosovës dhe pas maturimit ligjor duhet të vijnë në Arkivin e Kosovës.

Prandaj, deputetët e Kuvendi të Republikës së Kosovës, duke u mbështetur në praktikat e vendeve të tjera, standardet e Këshillit Ndërkombëtar të Arki­vave[22], standardet ndërkombëtare për ruajtjen dhe mbrojtjen e materialeve arkivore, miqtë ndërkombëtarë, ekspertët vendorë e ndërkombëtarë për këtë fushë, duhet t’i rishikojnë dispozitat ligjore të neneve 61 dhe 62 të Ligjit nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, ku flitet për fushën dhe fatin e materialeve arkivore që kri­johen nga puna e prokurorëve, gjyqtarëve, avokatëve, nga dhënia e dësh­mive/dëshmitarëve, grumbullimet e provave materiale nga të dy taborët si të prokurorëve dhe të avokatëve, materialeve të tjera të deponuara nga kushdo qoftë tjetër, dhe ta krijojnë bazën ligjore, në mënyrë që këto mater­iale arkivore, të rëndësishme për historinë më të re të Kosovës, të kthehen në Kosovë, përkatësisht në Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, e cila me ligj është e mandatuar dhe është përgjegjëse për ruajtjen, mbroj­tjen, rregullimin, përpunimin, digjitalizimin dhe dhënien për shfrytëzim të asaj që quhet pasuri arkivore.

As ne dhe askush tjetër nuk ka të drejtë që AShAK-në dhe Kosovën t’i privojë nga e drejta e pasjes së një sasie të konsiderueshme të materilit arkivor për një periudhë të rëndësishme të historisë sonë të afërt, e cila paraqet një pjesë të së mirës materiale arkivore shumë të çmuar të trashë­gimisë kulturore të shtetit të Kosovës, institucioneve të shtetit të Kosovës dhe e cila duhet të mbrohet e të ruhet po ashtu nga institucionet e Kosovës.

Për këtë gjë, Agjencia Shtetërore e Arkivave e Kosovës është institucioni i vetëm ekzekutiv, administrativ dhe shtetëror që organizon, drejton dhe kontrollon veprimtarinë arkivore në vend.[23]

[1] Ligji nr. 08/L-111 për Arkivat, neni 9, paragrafi 2.; Ligji nr. 04/L-184 për Administrimin e Punës në Zyrë, neni 4 ,paragrafi 1, nënparagrafi 1.1, 1.2, 1.3, 1.4 dhe 1.5.

[2] Po aty.

[3] Po aty.

[4] Ky Këshill ndryshe njihet me akronimin ICA.

[5] Këshilli Ndërkombëtar i Arkivave, Standardi Ndërkombëtar ISO 15489, Prishtinë, 2009, f. 11.

[6] Po aty f. 15.

[7] Ligji nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

[8] Ligji nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, Kaptina IX, neni 61.

[9] Ligji nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, Kaptina IX, neni 62.

[10] Po aty.

[11] Ligji nr. 04/L-088 për Arkivat Shtetërore, Kuvendi i Republikës së Kosovës.

[12] Ligji nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, Kaptina IX, neni 62.

[13] Ligji nr. 03/L-178 për Klasifikimin e Informacioneve dhe Verifikimin e Sigurisë.

[14] Ligji nr. 03/L-178 për Klasifikimin e Informacioneve dhe Verifikimin e Sigurisë, neni 6, paragrafi 1.1.

[15] Ligji nr. 03/L-178 për Klasifikimin e Informacioneve dhe Verifikimin e Sigurisë, neni 6, paragrafi 1.2.

[16] Ligji nr. 03/L-178 për Klasifikimin e Informacioneve dhe Verifikimin e Sigurisë, neni 6, paragrafi 1.3.

[17] Ligji nr. 03/L-178 për Klasifikimin e Informacioneve dhe Verifikimin e Sigurisë, neni 6, paragrafi 1.4.

[18] Ligji nr. 08/L-111 për Arkivat, neni 13, paragrafi 2.

[19] Ligj i cituar…

[20] Protokolli i nënshkruar mes ISO dhe AShAK.

[21] Ligji nr. 03/L-178 për Klasifikimin e Informacioneve dhe Verifikimin e Sigurisë.

[22] Këshilli Ndërkombëtar i Arkivave , Standardi Ndërkombëtar ISO 15489 – Menaxhimi zyrtar, Prishtinë, 2009; Standardi Ndërkombëtar për Përshkrimin e Funksioneve ISDF, Prishtinë, 2012; Standardi Ndërkombëtar për Përshkrimin e Institucioneve më Lëndë Arkivore, Prishtinë, 2012.

[23] Ligji nr. 08/L-111 për Arkivat, neni 3, paragrafi 1.1.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dy oficerë policie dhe një civil janë qëlluar për vdekje…