Problemet me përcaktimin e çmimeve të produkteve farmaceutike, reagon SHDPFMK-ja

13 qershor 2025 | 13:32

Shoqata e Distributorëve të Produkteve Farmaceutike dhe Medicinale të Kosovës (SHDPFMK) ka shprehur shqetësimin lidhur me krizën që po vazhdon prej pothuajse dy vitesh në procesin e përcaktimit të marzhave të çmimeve me pakicë dhe shumicë për produktet medicinale në Kosovë.

Në një reagim publik, SHDPFMK-ja thekson se mungesa e funksionimit efektiv të Komisionit për Deklarimin e Çmimeve pranë Ministrisë së Shëndetësisë (MSH) ka sjellë pasoja të rënda në tregun farmaceutik vendor.

Anëtarët e shoqatës kanë raportuar mungesa të shumta të produkteve medicinale, si dhe pamundësi për furnizimin e tyre me banderola për shkak të mos-publikimit në kohë të vendimeve me çmimet e miratuara nga MSH.

“Ekziston një numër i konsiderueshëm i çmimeve të produkteve medicinale të cilat komisioni (pa u bazuar në dispozitat ligjore dhe procedurat e kriteret e përcaktimit të çmimit) në shumicën e rasteve ka ulur çmimet në masë drastike, pavarësisht çmimit mesatar të vendeve referente të përcaktuara me ligjin për përcaktimin e çmimeve aq sa kompanive u pamundësohet furnizimi nga prodhuesit përkatës. Në shumë raste ka gabime teknike në mënyrën dhe formën e përcaktimit, madje duke u përmendur edhe diferenca prej 30% (pa bazë ligjore prej listës paraprake të MSH) për produkte dhe kompani të caktuara ku si rezultat ka akoma produkte të cilat kanë aplikuar për deklarim të çmimeve por që MSH nuk i ka publikuar akoma. Për më tepër çmimi i MSH nuk ka bazë ligjore në shumë raste, sepse komisioni ka trajtuar njëjtë të gjitha format e çmimeve si CIP, si EX work, si WSP, etj”, thuhet në reagimin e SHDPFMK-së.

Tutje theksohet se më 5 qershor është publikuar Lista Zyrtare e Çmimeve të Produkteve Medicinale – Versioni 1.4, e cila është përcjellë me mendimin Nr. 42/VI/2025, me numër protokolli 05-4280 të datës 04.06.2025, ku pas një analize të hollësishme nga ana e anëtarëve të Shoqatës së Distributorëve të Produkteve Farmaceutike dhe Medicinale të Kosovës – SHDPFMK, është konstatuar me shqetësim se kjo listë nuk përmban ndonjë ndryshim substancial për shumicën e produkteve medicinale, për të cilat janë dorëzuar kërkesa të rregullta muaj pas muaji për ndryshimin e çmimeve të këtyre produkteve në mënyrë që të procedohen me prioritet për shkak të gjendjes së krijuar.

“Ashtu si në versionet paraprake të kësaj liste, edhe në listën e fundit për shumicën e produkteve çmimet janë publikuar të pandryshuara, duke lënë përshtypjen se Komisioni për Çmimet e Produkteve Medicinale nuk i ka shqyrtuar fare kërkesat e anëtarëve tanë. Kjo qasje nuk përkon me Ligjin Nr. 08/L-220 për Çmimin e Produkteve Medicinale, i cili përcakton qartë kriteret për caktimin e çmimeve, po ashtu, nuk përkon me mandatin dhe detyrat e përgjegjësitë e Komisionit dhe të Ministrisë së Shëndetësisë”, thuhet në reagimin për medie.

Në këtë situatë, sipas SHDPFMK-së, anëtarët e saj përballen pa fajin e tyre me pasoja të rënda, të cilat rrezikojnë jo vetëm mbijetesën e bizneseve si operatorë farmaceutik, por edhe furnizimin e rregullt të tregut farmaceutik të Kosovës.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Los Angeles FC i Hugo Lloris do të jetë skuadra…