Procesi i Berlinit, Gërvalla: Sundimi i ligjit, faktori kryesor për stabilitetin dhe paqen në Ballkan

08 qershor 2021 | 16:16

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, ka marrë pjesë të martën në konferencën virtuale të ministrave të jashtëm në kuadër të Procesit të Berlinit.

Gjatë adresimit të saj, ministrja Gërvalla ka falënderuar Gjermaninë për kontributin e saj në forcimin e bashkëpunimit në mes të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Për Qeverinë e Kosovës, Gërvalla ka thënë se është e përkushtuar për bashkëpunim në secilën fushë duke filluar nga ekonomia, shkenca, arsimi e fusha të tjera, duke vënë në pah që bashkëpunimi duhet të jetë i bazuar në vlera dhe parime.

“Sundimi i ligjit është faktori kryesor jo vetëm për bashkëpunimin, por edhe për stabilitetin, madje edhe për paqen në Ballkan. Shkeljet e çdo të drejte, të çdo detyrimi ligjor, paraqesin një pengesë të vërtetë për arritjen e çfarëdo suksesi në bashkëpunim rajonal”, ka potencuar Gërvalla.

Ajo ka theksuar se teksa po identifikohen projekte të dobishme për avancimin ekonomik të rajonit, duhet siguruar që të gjitha projektet të jenë në dobi të qytetarëve dhe jo vetëm të disa grupeve.

“Prandaj duhet të sigurojmë transparencë të plotë, konkurrencë të bazuar në rregulla dhe duhet të luftojmë transaksionet e paligjshme ndërkufitare, tregjet e zeza dhe krimin e organizuar. Shfrytëzimi i qytetarëve nga grupe të fuqishme të krimit të organizuar duhet të ndalet”, ka thënë ndër të tjera ministrja Gërvalla.

Gjithashtu, ajo ka theksuar nevojën që disa shtete të kenë një mbështetje më të madhe.

“Në rajonin tonë kemi ardhur me predispozita të ndryshme në këtë fazë të re të bashkëpunimit. Ka vende, si Bosnjë Hercegovina dhe Kosova, të cilat janë shkatërruar nga agresioni dhe gjenocidi në vitet 1990-a të cilat shkaktuan tragjedi dhe humbje në njerëz. Por kjo luftë totale kundër civilëve shkatërroi gjithashtu me paramendim infrastrukturat kryesore. Këto miliarda dëme ende nuk janë kompensuar dhe kështu bashkëpunimin tonë ekonomik në rajon detyrimisht e fillojmë nga pozicione të ndryshme. Këta qindra mijëra njerëz, të cilët ende nuk e kanë marrë veten nga këto dëme që iu janë shkaktuar, meritojnë trajtim më të veçantë dhe mbështetje më të madhe. Edhe ky është gjithashtu një parakusht për të ofruar shanse të barabarta për të gjithë”, ka theksuar Gërvalla.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Arben Dashevci Kur dikush na ruan ndjehemi të sigurtë,…