Prodhuesit në krizë: Liberalizimi i energjisë rriti çmimet, uli kapacitetet
Procesi i liberalizimit të tregut të energjisë në Kosovë ka goditur rëndë bizneset prodhuese, duke rritur ndjeshëm kostot dhe duke kufizuar mundësitë e tyre për zgjerim dhe punësim.
Kompania “Pestova” në Vushtrri, e cila merret me përpunimin dhe prodhimin e patates dhe numëron 260 punëtorë të rregullt, ka ndaluar një linjë të re prodhimi dhe ka pezulluar punësimin e 20 punëtorëve të rinj, për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë.
Edhe pse ka shpenzuar 4% më pak rrymë në shtator të këtij viti, fatura e saj është rritur nga 10.962 euro në 25.535 euro – një rritje mbi 100% krahasuar me vitin e kaluar.
Pronari Bedri Kosumi thotë se politika e kompanisë për të mbajtur cilësinë dhe çmimet konkurruese është vënë në pikëpyetje; planet për zgjerim dhe rritje të pagave janë pezulluar, ndërsa pajisjet për produkte të reja mbeten të papërdorura në depo.
“Politikë e kompanisë është që të jemi më të mirët në kualitet, por edhe më të lirët në raftet e dyqaneve. Pas liberalizimit, është zvogëluar marzha e fitimit aq shumë, saqë jemi në pozitë shumë të vështirë”, thotë Kosumi për Radion Evropa e Lirë.
Në situatë të ngjashme është edhe kompania “Cadi Cleaning” në Ferizaj, e cila prodhon produkte pastrimi.
Me një staf prej 75 punëtorësh, ajo nuk po arrin të lidhë kontrata të reja me klientë vendorë dhe ndërkombëtarë, për shkak të rritjes mbi 100% të kostos së energjisë elektrike.
Pronari Sadri Gashi thotë se është detyruar të pezullojë çdo plan për zgjerim të prodhimit dhe të ndalojë punësimin e stafit të ri.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai tregon se këtë muaj ishte në Gjermani, për të negociuar marrëveshje me një kompani gjermane, por thotë se përpjekja nuk dha rezultat.
“I kam ofruar çmimin për furça tualeti prej 0.45 centësh për copë, por klienti më ka treguar se në Gjermani e merr të njëjtin produkt për 0.42 centë – pa kosto transporti. Në këto kushte, është e pamundur të konkurrojmë”, thotë Gashi.
Çmimet e energjisë dyfishohen
Nga 1 qershori, me vendim të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), bizneset më të mëdha në Kosovë – me mbi 50 punëtorë dhe qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro – kanë kaluar në treg të hapur të energjisë.
Kjo do të thotë se këto biznese nuk furnizohen më me tarifa të rregulluara, por blejnë energjinë sipas ofertave të kompanive private, të licencuara për tregtim.
Sipas ZRRE-së, në këtë proces janë të përfshira rreth 1.300 biznese, që konsumojnë rreth 37% të energjisë së përgjithshme.
Ky numër bazohet në të dhënat e vitit 2024, ndërsa të dhënat e këtij viti tregojnë një situatë ndryshe. Sipas Administratës Tatimore të Kosovës, në muajin shtator, numri i kompanive me më shumë se 50 punëtorë dhe qarkullim mbi 10 milionë euro ishte 976.
Nga Shoqata e Prodhuesve të Kosovës thonë se këto kompani më parë paguanin rreth 75 euro për megavat rrymë, ndërsa tani çmimi ka shkuar deri në 190 euro për megavat, duke përfshirë edhe tarifat shtesë.
Çmimi ndryshon varësisht nga shpenzimi, niveli i linjës në tension dhe bursa energjetike.
Sipas Kushtrim Ajvazit, udhëheqës i Shoqatës së Prodhuesve të Kosovës, nga 300 kompani që kanë dalë në treg të hapur të energjisë, vetëm 60 kanë mundur të sigurojnë kontrata me çmim fiks deri në fund të dimrit.
“… pra, jemi në një situatë ku bizneset, edhe pse po paguajnë dyfish e gjysmë më shtrenjtë, në njëfarë mënyre, janë gëzuar që kanë arritur ta fiksojnë çmimin deri në fund të dimrit, duke filluar nga muaji nëntor”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Ajvazi shpjegon se një kompani prodhuese, e cila për konsum energjetik në muajt maj, qershor, korrik, gusht dhe shtator të vitit 2024 ka paguar 46.564 euro, për të njëjtën sasi të energjisë këtë vit pagoi 117.707 euro.
“Ka biznese që janë mbyllur, ka biznese që planet investive për këtë vit i kanë ndërprerë, kurse rritjen e pagave e kanë pezulluar”, thotë ai.
Të gjitha këto probleme, sipas përfaqësuesve të bizneseve, burojnë nga fakti se procesi i liberalizimit të energjisë nuk është përgatitur siç duhet.
Për këtë arsye, Oda Ekonomike e Kosovës dorëzoi edhe një padi në Gjykatën Supreme kundër ZRRE-së.
Ka pasur, gjithashtu, edhe protesta publike, por ZRRE-ja thotë se, deri më tani, nuk ka pranuar ndonjë ankesë përmes procedurave zyrtare.
Furnizimi dhe mungesa e konkurrencës
Në Kosovë, megjithëse janë të licencuara 27 kompani për tregtim me energji elektrike – dhe tri të tjera në proces licencimi – tregu mbetet i përqendruar dhe konkurrenca thuajse nuk ekziston.
Në mesin e operatorëve janë edhe Operatori për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) dhe Korporata Energjetike e Kosovës (KEK).
Por, sipas Ajvazit, udhëheqës i Shoqatës së Prodhuesve të Kosovës, vetëm tri ose katër kompani kanë prani reale dhe mund të negociojnë drejtpërdrejt çmimin.
“Mungesa e konkurrencës së fortë bën që çmimet të mbeten të larta”, sipas tij.
Kur Radio Evropa e Lirë kontaktoi disa prej kompanive të licencuara për t’i pyetur për çmimet dhe mundësitë e furnizimit, vetëm KESCO dhe ENERCO LLC dhanë përgjigje.
KESCO ka kontrata aktive me mbi 460 biznese, por nuk pranoi të specifikojë çmimin për kilovat apo megavat, duke thënë se ai ndryshon sipas kontratës dhe llojit të marrëveshjes.
ENERCO LLC, në anën tjetër, furnizon rreth 80 biznese aktive. Çmimet, sipas kompanisë, luhaten mes 120 dhe 140 eurosh për megavat, në varësi të tregut ditor dhe marrëveshjeve bilaterale.
E, sipas ZRRE-së, në treg aktualisht janë aktivë tetë operatorë, ndërsa KESCO mban portofolin më të madh të konsumatorëve komercialë në tregun e hapur.
Çfarë zgjidhjeje mund të ketë?
Shoqata e Prodhuesve të Kosovës kërkoi nga Qeveria e vendit që ta shtyjë zbatimin e vendimit për daljen e kompanive në treg të hapur të energjisë dhe t’i mbështesë bizneset në sigurimin e një prone për investime të përbashkëta në energji diellore.
Sipas Ajvazit, disa kompani prodhuese janë të gatshme të ndërtojnë një plantacion diellor me kapacitet prej 500-600 megavatesh, në përputhje me Strategjinë Kombëtare të Energjisë.
“Shteti le të na sigurojë tokën dhe t’i përfundojë procedurat sa më shpejt. Kostoja që paguajmë për energji elektrike shkon jashtë Kosovës; këto mjete nuk kthehen në vend”, thotë ai.
Sipas tij, investimi do të mund të rikuperohej brenda 20 vjetësh, do të krijonte vende të reja pune dhe do t’i mbante të ardhurat financiare brenda vendit.
Qeveria në detyrë nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë se a e ka shqyrtuar kërkesën e përfaqësuesve të prodhuesve, derisa disa kompani po tentojnë të gjejnë zgjidhje vetë.
Kosumi i kompanisë “Pestova” thotë se vitin e ardhshëm do të nisë instalimin e paneleve diellore.
“Nuk e kemi pasur në plan, por tani është e domosdoshme. Bazuar në ofertat e deritanishme, panelet dhe bateritë shkojnë mbi një milion euro”, thotë ai.
Liberalizimi i energjisë në rajon
Procesi i liberalizimit të tregut të energjisë në Bashkimin Evropian filloi që në fund të viteve ‘90, me qëllim rritjen e konkurrencës, efikasitetit, sigurisë dhe zgjedhjes për konsumatorët.
Në Ballkanin Perëndimor, ky proces është ende në zhvillim.
Në Kosovë, ai u parapa me Ligjin për energjinë elektrike të vitit 2016, por zbatimi u shty, për shkak të rrethanave të ndryshme.
Procesi shkaktoi kundërshtime edhe në Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut, por sot shihet si mundësi për të kontrolluar më mirë shpenzimet.
Përndryshe, liberalizimi i tregut të energjisë është edhe kërkesë e BE-së përmes Traktatit të Komunitetit të Energjisë, të nënshkruar në vitin 2005 nga vendet e rajonit, përfshirë Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Serbinë, Malin e Zi, Bosnje dhe Hercegovinën, Bullgarinë, Rumaninë dhe Kroacinë.
Traktati i detyron vendet që të harmonizojnë legjislacionin dhe të zbatojnë hapjen graduale të tregjeve.



