Profesorët dhe studentët e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike vizitojnë Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”
Në kuadër të Programit të Studimit për Trafik dhe Transport në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike, profesorë dhe studentë nga Universiteti i Prishtinës realizuan një vizitë studimore në ANP “Adem Jashari”.
Delegacioni u prit nga Shefi i Departamentit të Shërbimeve Tokësore në aeroport, Kreshnik Morina, i cili ndau me të pranishmit njohuri të vlefshme mbi operacionet aeroportuale, standardet e sigurisë si dhe sfidat e menaxhimit në industrinë e aviacionit. Gjatë vizitës, studentët patën mundësinë të njihen nga afër me proceset e punës dhe funksionimin e përditshëm të aeroportit, duke e lidhur teorinë e përfituar në auditor me praktikën në terren.
Në njoftimin e aeroportit theksohet se ANP “Adem Jashari” mbështet vazhdimisht vizitat edukative dhe kërkimore, nga niveli fillor deri në atë universitar. “Studentët rriten bashkë me ne. Gjatë viteve, kemi mirëpritur mijëra nxënës dhe studentë si pjesë e rrugëtimit të tyre akademik, duke u ofruar mundësinë të përjetojnë aviacionin nga afër dhe të lidhin teorinë me praktikën”, thuhet në njoftim.
Më tej, aeroporti shpreh përkushtimin për forcimin e bashkëpunimit mes arsimit dhe industrisë, duke mbështetur gjeneratat e reja në rrugëtimin e tyre profesional dhe në ndërtimin e së ardhmes.



