
Profesori Gëzim Qerimi: Si bashkautor, Basha ka pranuar të gjithë përmbajtjen e punimit
Profesori i gazetarisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Gëzim Qerimi, ka reaguar lidhur me publikimin ‘shkencor” të krye kuvendarit Dimal Basha, i cili në bashkautorësi me Jana Arsovska , e kanë cilësuar UÇK-në, si organizatë në themel “e krimit dhe trafikantëve të drogës”.
Qerimi ka thënë se Dimal Basha është bashkautor i atij punimi dhe se kjo nënkupton që ai ka pranuar të gjithë përmbajtjen e tekstit. “Në praktikën akademike, bashkautorësia është baras me pajtimin e plotë me punimin, dhe nuk ka asnjë justifikim që të thuhet se je autor “vetëm i një pjese”’..
Reagimi i plotë i Qerimit në profilin e vet në “Facebook”:
Publikimi i një punimi ku Ushtria Çlirimtare e Kosovës lidhet me krimin e organizuar dhe me drogën është skandal i rëndë, i papranueshëm dhe një fyerje e drejtpërdrejtë për luftën e shenjtë të popullit tonë.
Dimal Basha është bashkautor i atij punimi. Kjo nënkupton që ai ka pranuar të gjithë përmbajtjen e tekstit. Në praktikën akademike, bashkautorësia është baras me pajtimin e plotë me punimin, dhe nuk ka asnjë justifikim që të thuhet se je autor “vetëm i një pjese”.
Andaj, dorëheqja nga çdo funksion publik e politik është më e pakta që mund të bëjë. Përndryshe, vazhdimi i tij në politikë është një fyerje e dyfishtë: për gjakun e dëshmorëve dhe për familjet që sakrifikuan gjithçka për lirinë që sot gëzojmë.
UÇK-ja nuk mund të njolloset me shpifje akademike. Çdo përpjekje e tillë, sado e kamufluar nën petkun e “studimeve shkencore”, është pjesë e narrativës antishqiptare, të cilën Dimal Basha përmes bashkautorësisë e ka pranuar dhe e ka legjitimuar.
Prandaj, reagimi ynë duhet të jetë i qartë: nuk ka vend në politikën e Kosovës për ata që e barazojnë UÇK-në me krimin.